Lidhje

OKB heton pretendimet për sulm kimik në Siri


Kombet e Bashkuara po hetojnë pretendimet se qeveria siriane ka përdorur gaz helmues në zonat e kontrolluara nga rebelët në Alepo. Njoftohet për të paktën katër të vdekur ndërsa shumë të tjerë gjenden në spital me vështirësi në frymëmarrje. I dërguari special i Kombeve të Bashkuara për Sirinë tha të enjten se nëse konfirmohet, sulmi me gaz helmues do të përbënte krim lufte.

Alepo ka qënë skenë e luftimeve të ashpra për pothuajse një muaj, ndërsa qeveria dhe rebelët synojnë të marrin në kontroll qytetin e dytë më të madh në Siri. Grupe për të drejtat e njeriut thonë se kjo është një nga zoat më të rrezikshme për popullsinë civile. Përveç humbjes së shtëpive nga sulmet ajrore të qeverisë dhe të kapur mes konfliktit, banorët në zonat e kontrolluara nga rebelët në Alepo po ashtu mund të jenë objetiv i sulmeve kimike. Diana Semaan është me Amnesty International në Lebanon.

“Sapo jemi njoftuar për pretendimin për sulmin e tretë me gaz klorik në qytetin Alepo gjatë dy javëve të fundit. Mjeku me të cilin folëm tha se kishte pranuar 60 individë, shumica fëmijë, të cilët kanë qënë të ekspozuar ndaj sulmit me gaz helmues. Ata kanë probleme frymëmarrje dhe asfiksi.”

Qeveria e presidentit Bashar al-Assad ka një histori të përdorimit të gazit helmues ndaj kundërshtarëve, kështu që akuzat po merren seriozisht. Staffan De Mistura është i Dërguari Special i Kombeve të Bashkuara për Sirinë.

“Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera po e trajtojnë këtë çështje, por nëse vërtetohet është krim lufte. Në këtë rast, kërkohet që të gjithë ta trajtojnë çështjen menjëherë.”

Forcat qeveritare të mbështetura nga aeroplanë luftarakë rusë po përpiqen të marrin kontrollin e plotë të qytetit strategjik në veri të vendit. Zyrtarët e OKB-së thanë të enjten se armëpushimi tre orësh i premtuar nga ushtria ruse për të mundësuar shpërndarjen e ndihmave nuk është i mjaftueshëm. Ata thonë se duhen të paktën 48 orë. Jan Egeland është këshilltar special i të dërguarit të Kombeve të Bashkuara për Sirinë.

“Në takimin e sotëm, delegacioni rus konfirmoi gatishmërinë për të diskutuar me ne sot dhe nesër, përpjekjet për t’u pajtuar rreth një pauze të mundëshme humanitare.”

Të enjten, pamjet e televizionit rus tregonin një karvan humanitar që shkonte drejt Alepos dhe shpërndante ushqime në rrethinat e qytetit. Por, gazetarët thonë se kamionët me ushqime dhe sende të tjera nuk ishin në gjendje të futeshin në qytet për shkak të bombardimeve intensive.

XS
SM
MD
LG