Lidhje

Fuqizimi i kurdëve në Siri frikëson Turqinë


Kurdët në veri të Sirisë thonë se ata kanë marrë nën kontroll shumicën e qyteteve të mëdha të këtij rajoni nga forcat qeveritare. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës Henry Ridgwell, Turqia druhet se kërcënimi i dyfishtë i konfliktit sirian mund të përhapet në kufirin e saj dhe mund të përshkallëzojë luftën e saj të brendshme kundër separatistëve kurdë.

Mehmet Bervan, një kurd që jeton në juglindje të Turqisë, ka një pikëpamje tjetër mbi konfliktin në Siri. Shtëpia e tij është pranë kufirit dhe ai mund të dëgjojë thirrjet nga anëtarët e familjes në anën tjetër të kufirit. Ai po ndjek me vëmendje kryengritjen në Siri.

“Shpesh shohim shpërthime, aktivizim bombash dhe shtëllunga tymi që ngrihen në ajër. Është tmerrësisht e frikshme për ne këtu”.

Zoti Bervan i thekson ndjenjat e kurdëve në të gjithë Lindjen e Mesme.

“Natyrisht njerëzit do të donin të jetonin së bashku. Këto gardhe nuk kanë ekzistuar këtu një kohë më parë. Ne ishim të gjithë një familje. Pastaj ata vendosën gardhin dhe ndanë familjen tonë. Në anën tjetër të kufirit jetojnë të afërmit tanë, vëllezërit tanë”.

Zhvillimet e fundit në anën siriane të kufirit kanë tronditur Turqinë. Banorët vendas i thanë Zërit të Amerikës se ka pasur një rritje të madhe të patrullimit nga ana e ushtrisë turke përgjatë kufirit. Turqia frikësohet se kurdët në Siri do t’i ofrojnë strehë luftëtarëve kurdë të PKK-së.

Në ditët e fundit Turqia ka nisur sulmet ndaj bazave të PKK-së, në të cilat janë vrarë të paktën 11 militantë dhe gjashtë ushtarë. Tanke dhe armë të rënda të ushtrisë turke janë dislokuar përgjatë kufirit në rajonin kurd. Kryeministri Rexhep Tajip Erdogan ka paralajmëruar se Turqia do të sulmojë luftëtarët e PKK-së në Siri.

“Ndërsa regjimi i al-Assadit kryen masakra mizore në Siri, aktivitete në veri të Sirisë duhet të vëzhgohen me kujdes. Ne kurrë nuk do të lejojmë që këto zhvillime të kërcënojnë sigurinë tonë”.

Ndërkohë që kurdët sirianë nuk i janë bashkuar plotësisht kryengritjes, disa fraksione politike të kurdëve kanë rënë dakord që të bashkohen.

Hafiz Abdurahman aktivist kurd nga Siria për të drejtat e njëriut, i cili vitin e kaluar u arratis në Turqi, thotë se Turqia nuk duhet të ketë frikë nga kurdët e Sirisë.

“Kurdët nuk po kërkojnë krijimin e shtetit të tyre në Siri, ata duan një Siri të lirë dhe një popull të lirë kurd që i gëzon të drejtat e tij, pasi kemi qenë nën këtë regjim totalitar për një kohë kaq të gjatë”.

Për Turqinë, kriza në Siri sjell ndërlikime të reja në konfliktin e gjatë me kurdët, madje edhe tani kur kurdët në Siri janë duke festuar lirinë e sapo fituar.
XS
SM
MD
LG