Lidhje

Kofi Annan tërhiqet nga detyra e të dërguarit të posaçëm


Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon tha se njoftonte me keqardhje lajmin për dorëheqjen e zotit Annan që hyn në fuqi më 31 gusht

Kombet e Bashkuara thonë se Kofi Annan po tërhiqet nga detyra e të dërguarit të posaçëm të Kombeve të Bashkuara dhe Lidhjes Arabe për Sirinë, ku dhuna mes qeverisë dhe forcave të opozitës është përshkallëzuar.


Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon tha se njoftonte me keqardhje lajmin për dorëheqjen e zotit Annan që hyn në fuqi më 31 gusht. Në një deklaratë sot, zoti Ban tha se “oferta për ndërprerjen e dhunës” në favor të diplomacisë, ishte shpërfillur.


Ai fajësoi qeverinë dhe opozitën për trazirat e vazhdueshme. Të dyja palët nuk e kanë respektuar armëpushimin që ishte pjesë e një plani paqeje me gjashtë pika të ndërmjetësuar nga zoti Annan para disa muajsh. Armëpushimi filloi të dështonte pak pasi hyri në fuqi në prill.


Ndërkohë, kryengritësit kanë përdorur sot një tank që e kanë marrë nën kontroll për të goditur me artileri një bazë ushtarake në qytetin verior të Aleppos, ndërsa forcat qeveritare goditën bazat e kryengritësve në qytet me tanke dhe zjarr artilerie.

Rebelët sirianë intensifikuan ofensivën e tyre kundër trupave qeveritare sot, duke përdorur tanket e kapura për të bombarduar një bazë ajrore ushtarake në qytetin Aleppo ndërsa forcat e regjimit në kryeqytetin Damask ndërmorrën sulme të reja kundër tyre.

Forcat e presidentit Bashar al-Assad u kundërpërgjigjën në Aleppo duke bombarduar distriktin strategjik Salaheddin me takne dhe zjarrin e artilerisë ndërsa rebelët u përpoqën të konsolidonin kontrollin e tyre në zonat e kapura.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG