Lidhje

Ban, Thirrje për zgjidhje politike në Siri

  • Margaret Besheer

Ndërkohë që kanë mbetur më pak se dy javë deri në konferencën e ardhshme ndërkombëtare të Gjenevës për paqe në Siri, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon u bëri dje thirrje të gjitha palëve për një zgjidhje politike.

Shefi i OKB-së e theksoi mesazhin e tij në konferencën e parë për shtyp të këtij viti.

"U bëj thirrje palëve ndërluftuese dhe të gjithë atyre që kanë ndikim tek këto palë të pranojnë se nuk ekziston një zgjidhje ushtarake për këtë konflikt dhe të punojnë për një zgjidhje politike që vë në zbatim dokumentin e dalë nga Konferenca e Gjenevës”.

Dokumenti u miratua në një takim të palëve në qershor 2012. Në të parashikohet krijimi i një organi qeverisës tranzitor me fuqi të plota ekzekutive që do të formohej me konsensus.

Sekretari i Përgjithshëm pohoi se ka mospajtime në synimet e palëve për konferencën e ardhshme, e cila njihet si Gjeneva 2. Ai tha se synimi kryesor është zbatimi i dokumentit të miratuar në konferencën e mëparshme:

"Askush nuk mendon se do të jetë proces i lehtë, do të jetë në fakt tepër i vështirë”.

Të dielën, Sekretari i Shtetit John Kerry do të takohet në Paris me Ministrat e Jashtëm të vendeve që mbështesin opozitën siriane. Ata do të përpiqen të ngushtojnë mospajtimet brenda këtij grupi para bisedimeve në Gjenevë.

Këtë javë iu dërguan ftesat 30 vendeve, si dhe krerëve të Lidhjes Arabe, Organizatës për Bashkëpunim Islamik dhe Bashkimit Evropian për pjesëmarrje në bisedimet e Gjenevës. Irani, megjithëse një vend me influencë në rajon, deri tani nuk është ftuar të marrë pjesë.

Zoti Ban do të drejtojë konferencën që këtë radhë zhvillohet në formatin e një takimi të nivelit të lartë, në Montreux të Zvicrës më 22 janar. Më pas janë planifikuar negociata në kompleksin e OKB-së në Gjenevë mes qeverisë dhe delegatëve të opozitës siriane, me ndërmjetësimin e Përfaqësuesit të Posaçëm Lakhdar Brahimi.

Zoti Ban bëri dje thirrje për ndalimin e menjëhershëm të dhunës që ka lënë të vrarë mbi 100 000 sirianë.

"Duhet të ndalen gjithë aktet e dhunës, përfshirë përdorimi nga qeveria i bombave dhe artilerisë së rëndë që vrasin e gjymtojnë pa dallim”.

Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së tha se shpreson që të gjitha vendet që do të marrin pjesë në bisedimet e Gjenevës, do të vijnë me një vullnet të qartë dhe të fortë për të ndihmuar avancimin e bisedimeve të paqes dhe ndaljen e dhunës që ka pushtuar Sirinë për afro tre vjet.
XS
SM
MD
LG