Lidhje

Bisedimet siriane pa rezultat


Ndërmjetësi i OKB-së Lakhdar Brahimi i kërkoi sot falje popullit sirian pas përfundimit pa marrëveshje të raundit të dytë të bisedimeve të paqes në Gjenevë mes qeverisë së Sirisë dhe opozitës. Takimi i sotëm i zotit Brahimi me të dyja palët ndërluftuese ishte një përpjekje e minutës së fundit për të shpëtuar bisedimet e bllokuara të paqes.

Dje, grupi kryesor i opozitës tha se, pas disa ditë bisedimesh pa ndonjë arritje të rëndësishme, përpjekjet për paqe me qeverinë ishin bllokuar. Por sot u zhvillua një tjetër takim mes palëve, me ndërmjetësimin e të dërguarit të OKB-së Lakhdar Brahimi. Sërish pa rezultat.

Duke kërkuar falje, zoti Brahimi tha se populli sirian priste që bisedimet të rezultonin në gjetjen e një mënyre për të dalë nga "kriza e tmerrshme" në të cilën gjenden. Por, tha ai, "këto dy raunde bisedimesh nuk kanë arritur shumë". Nuk ishte e qartë se kur mund të zhvillohej një raund i tretë bisedimesh.

Opozita siriane dëshiron të diskutohet krijimi i një qeverie kalimtare e cila, sipas gjasave, do të përjashtonte përfshirjen e presidentit Bashar al-Asad; ndërkohë qeveria thotë se fokusi duhet të jetë lufta kundër terrorizmit, një term që Damasku përdor për rebelët.

Presidenti amerikan Barak Obama tha dje se do të ndërmerren hapa për t'i bërë presion presidentit të Sirisë për t'i dhënë fund dhunës, ndërsa do vazhdohet bashkëpunimi me aleatët për një zgjidhje afatgjatë.

"Ne do të vazhdojmë të përpiqemi për strategjinë më të efektshme për të ndryshuar situatën e forcës brenda vendit, në mënyrë që të mund të kemi një Siri, që respekton të gjitha grupet, që i jep fund vrasjeve dhe që lejon krijimin e një qeverie përfaqësuese, e cila të mund të sigurojë paqe dhe një jetë të begatë për të gjithë banorët".

Këshilli i Sigurimit i OKB-së i vazhdoi diskutimet mbi një projekt-rezolutë që, ndër të tjera, do të shpreh “gjendjen alarmante” për civilët e bllokuar nga forcat siriane. Koordinatorja e OKB-së për çështjen e ndihmave, Valerie Amos tha se dërgimi i ndihmave tek civilët sirianë në vështirësi nuk duhet të jetë çështje debati, apo politike.
XS
SM
MD
LG