Lidhje

Siria në plan të parë në takimin e G20


Udhëheqësit e Grupit të 20-shes filluan takimet pesë vjet më parë në kulmin e krizës ekonomike. Tani që kanë filluar të shfaqen shenja të qarta se kriza po vihet nën kontroll, duket se politika do të mbizotërojë takimin e sivjetshëm në Shën Peterburg.

Vendet e punës dhe rritja ekonomike janë ndër temat në rendin e ditës për takimin dy ditësh të G20 që fillon sot në Shën Peterburg.

Udhëheqësit përfaqësojnë 80 për qind të ekonomisë botërore. Por takimi i sivjetshëm ka të ngjarë të mbizotërohet nga zhvillimet në një vend që përfaqëson më pak se 1 për qind të ekonomisë globale – Sirisë.

Për më shumë se 40 vjet Siria ka qenë kliente e Moskës. Por tani Presidenti Obama po harton plane për të sulmuar ushtarakisht Sirinë, pas sulmit kimik që la mbi 1400 të vrarë.

Dje, ndërkohë që në Shën Peterburg po mbërrinin udhëheqësit e G20-shes, udhëheqësi rus Vladimir Putin theu protokollin dhe kritikoi ashpër Uashingtonin.

Ndërkohë që po rritet mbështetja në Kongres për sulm ushtarak kundër Sirisë, zoti Putin akuzoi Kongresin se po “sanksionin agresionin”. Udhëheqësi rus tha se kishte parë dëshminë e Sekretarit të Shtetit para Kongresit lidhur me Sirinë. Reagimi i zotit Putin: “Ai tha hapur gënjeshtra dhe e ka të qartë se po tregon gënjeshtra”.

Një zyrtar ushtarak rus tha për agjencinë e lajmeve Interfax se katër anije ruse po udhëtojnë drejt bregjeve të Sirisë. Një zyrtar tjetër rus tha se raketa ruse anti-detare dhe anti-ajrore janë dërguar kohët e fundit në Siri. Ai shtoi “Ato që ndodhën në Libi, nuk do të ecin këtë radhë”.

Vitaly Milonov, një zyrtar i Këshillit Bashkiak të Shën Peterburgut foli për atmosferën e përçarjeve mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.

"Pa qëndrimin tonë, pa qëndrimin tonë dhe të kinezëve, do ta kishit shkatërruar Sirinë një muaj më parë”.

Lidhjet Rusi-Kinë do të dalin në dukje edhe gjatë takimit të G20-shes. Ndihmës të Kremlinit thonë se Presidenti Putin nuk ka kohë për takim kokë-më-kokë me Presidentin Barak Obama. Por ai ka planifikuar një takim të posaçëm me Presidentin kinez Xi Jinping.

Presidenti amerikan i anuloi më parë planet për bisedime me zotin Putin, pasi Rusia lejoi ish-kontraktorin e shërbimeve të zbulimit Edward Snowden të merrte azil.

Një shqetësim i konsiderueshëm për Kinën, Brazilin dhe vende të tjera në zhvillim është shtrëngimi i politikave monetare nga Shtetet e Bashkuara. Pritet që Banka Qendrore Amerikane të rrisë normat e interest, gjë që ka nxitur investitorët të tërheqin miliarda dollarë nga ekonomitë e Brazilit, Indisë, Indonezisë, Turqisë dhe Afrikës së Jugut duke dobësuar bursat dhe monedhat e këtyre vendeve.

Por normat e interesit pritet të dalin në plan të dytë, ndërkohë që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia konkurrojnë për të siguruar mbështetjen e vendeve të tjera pjesëmarrëse për qëndrimet e tyre të kundërta ndaj Sirisë.
XS
SM
MD
LG