Lidhje

Media siriane: Izraeli godet periferi të Damaskut


Kryeqyteti sirian, Damask u trondit sot nga shpërthimet. Media shtetërore siriane tha se raketat izraelite kishin goditur një objekt kërkimor ushtarak në periferi të kryeqytetit. Shpërthimet ndodhën një ditë pasi Izraeli njoftoi se kishte kryer sulme për të shkatërruar një dërgesë me raketa që kishin si destinacion Hezbollahun në Liban. Pohimi i Izraelit ka zgjuar shqetësimin për zgjerimin e konfliktit në Lindjen e Mesme.

Zyrtarët izraelitë thanë në komentet për agjencitë e huaja të lajmeve se forcat ajrore kishin ndërmarrë një sulm në Siri, duke vënë në shenjestër një dërgesë me raketa të avancuara me destinacion grupin Hezbollah në Liban. Zyrtarët thanë se raketat kishin rreze veprimi që mund të arrinte në thellësi të Izraelit.

Udhëheqësit izraelitë kanë paralajmëruar vazhdimisht se nuk do të lejojnë transferimin e armëve të sofistikuara nga Siria tek grupet terroriste. Analisti izraelit Gerald Steinberg shprehet:

“Çdo lëvizje apo transferim që duket se ka si destinacion Hezbollahun, është pak a shumë e garantuar se Izraeli do të reagojë për ta parandaluar. Për Izraelin ky përbën një kërcënim të pranishëm”.

Goditja ajrore u ndërmor të premten, disa orë pas një takimi urgjent të Kabinetit të Sigurisë në Izrael. Sipas medias, avionët izraelitë mund të kenë sulmuar objekte siriane nga hapësira ajrore libaneze. Ministri i Jashtëm i Libanit reagoi me revoltim, duke paralajmëruar se sulmi po acaron më tej tensionet e ngritura në rajon.

Zoti Steinberg thotë se ndërhyrja ushtarake izraelite në Siri është një hap i rrezikshëm:

“Ky sulm mund të sjellë destabilitet, trazira ose luftë më të gjerë në Lindjen e Mesme”.

Ishte sulmi i dytë izraelit në Siri këtë vit. Në janar, forcat ajrore izraelite vunë në shenjestër sisteme anti-ajrore të prodhimit rus që po i dërgoheshin Hezbollahut.
XS
SM
MD
LG