Lidhje

Kerry, Lavrov diskutojnë planin mbi armët siriane


Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi se një sulm ushtarak në Siri do të kishte pasoja, ndërkohë që ministri i tij i jashtëm përgatitet të takohet me sekretarin e Shtetit John Kerry për të diskutuar rreth planit të Moskës për t’i dhënë fund kërcënimit që paraqesin armët kimike të Sirisë.

Në një shkrim të botuar sot në gazetën New York Times, zoti Putin thekson nevojën për të punuar përmes Kombeve të Bashkuara në vend të një sulmi të njëanëshëm ushtarak në Siri. Ai thotë se një sulm ushtarak amerikan “do të shtonte dhunën, do të nxiste të valë të re terrorizmi” dhe do të kishte efekte negative për të zgjidhur programin bërthamor të Iranit si dhe procesin izraelito-palestinez të paqes.

Zoti Putin thotë gjithashtu se janë të gjitha arsyet të besohet se përgjegjës për përdorimin e armëve kimike në Siri kanë qenë luftëtarët e opozitës në përpjekje për të nxitur një reagim ushtarak nga jashtë. Shtetet e Bashkuara kanë fajësuar qeverinë siriane për përdorimin e gazit helmues kundër civilëve.

Ndërkohë, sekretari Kerry dhe homologu i tij rus Sergei Lavrov takohen sot në Gjenevë për të diskutuar hollësitë e planit rus për Sirinë që ajo t'ia dorëzojë armët e veta kimike Kombeve të Bashkuara për t'i asgjësuar.

Zyrtarët që shoqërojnë zotin Kerry thanë se bisedimet do të jenë një provë se sa “real” është propozimi, dhe se Shtetet e Bashkuara kërkojnë që Siria të japë pa vonesë informacione të hollësishme për arsenalin e saj kimike. Ata thanë se sigurimi i armëve është i mundur, por do të ishte “i vështirë dhe i ndërlikuar."

Zoti Kerry do të takohet sot edhe me të dërguarin e posaçëm të OKB-së Lakhdar Brahimi.
XS
SM
MD
LG