Lidhje

Bisedimet për zgjidhjen e konfliktit në Siri


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry ndodhet në Evropë për bisedimet mbi krijimin e një qeverie kalimtare për t'i dhënë fund luftës civile në Siri. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Departamentin e Shtetit, Scott Stearns njofton se ekzistojnë përçarje brenda opozitës dhe pikëpyetje mbi pjesëmarrjen e Iranit në këto bisedime.

Përpjekjet ndërkombëtare për t'i dhënë fund luftimeve në Siri janë të përqëndruara në bindjen e qeverisë së presidentit Bashar al-Asad dhe kundërshtarëve të saj për të marrë pjesë në bisedimet e paqes. Por opozita mbetet e ndarë, ku disa fraksione të saj kanë refuzuar të marrin pjesë në bisedimet në Gjenevë nëse Presidenti Asad nuk jep dorëheqjen.

Në takimin e djeshëm në Londër të grupit të 11 vendeve që mbështesin opozitën e Sirisë, Sekretari i Jashtëm britanik William Hague i bëri thirrje këtyre grupeve që të marrin pjesë në bisedimet e paqes në Gjenevë.

"Ne i bëjmë thirrje Koalicionit Kombëtar të angazhohet plotësisht në procesin Gjeneva 2 dhe të udhëheqë e të formojë thelbin e çdo delegacioni të opozitës. Gjeneva i ofron popullit sirian shpresën më të mirë për të përmirësuar jetën e tij."

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha se nuk ka zgjidhje ushtarake për konfliktin.

"Kjo luftë nuk do të mbaroj në fushën e betejës, unë dhe shumica e njerëzve besojmë se ajo do të marrë fund përmes arritjes së një marrëveshjeje të negociuar".

Presidenti Assad në parim ka rënë dakord që të marrë pjesë në këto bisedime dhe dëshiron që edhe Irani të jetë pjesë e procesit. Ky propozim mbështetet nga Rusia, e cila së bashku me Iranin, është mbështetësja kryesore e qeverisë siriane.
Ish- ambasadori amerikan, Adam Ereli, thotë se Irani kurrë nuk do të lejojë që ky konflikt të përfundojë në një mënyrë që e dobëson pozitën e tij.

"Mendoni për mbështetjen e Iranit për Bashar al –Asad-in jo si një lëvizje ofensive, por si një masë mbrojtëse për t’i mbajtur sa më largë armiqtë e tyre, si një përpjekje për t'i dhënë Iranit një aftësi për të mbrojtur vendin përmes një aleati në Damask ".

Presidenti iranian Hassan Rouhani është duke vazhduar bisedimet mbi programin bërthamor të Teheranit, veprim i cili mund t’i jap atyre mundësi për t’u inkuadruar edhe në bisedimet mbi Sirinë, thotë profesori i Universitetit Amerikan Akbar Ahmed .

"Ju jeni duke parë një shkrirje të marrëdhënieve të Iranit me Përëndimin, dhe në këtë kuptim unë mendoj se Irani do të luajë një rol edhe më aktiv në atë që po ndodh në Siri, dhe unë mendoj se kjo do t’i hapte rrugën një dialogu të ndryshëm me fuqitë Perëndimore."

Në takimin "Londra 11" është gjithashtu duke u diskutuar ndikimi i luftës në gjendjen humanitare, ku më shumë se dy milionë sirianë janë zhvendosur nga luftimet.
XS
SM
MD
LG