Lidhje

Bombardohet porti sirian Latakia


Zyrtarë amerikanë thanë se avionë luftarakë izraelitë goditën portin sirian Latakia, në fillim të këtij muaji, duke vënë nën shënjestër një ngarkesë me raketa ruse anti-anije, çka do të përbënte operacionin e katërt të ngjashëm të Izraelit në Siri gjatë këtij viti.

Zyrtarët i thanë rrjetit televiziv CNN dhe gazetës The New York Times se Izraeli, më 5 korrik, sulmoi depot me raketa Yakhont, për shkak të shqetësimeve se ato mund të kërcënonin forcat detare izraelite.

Mediat rajonale njoftuan shpërthime të mëdha në Latakia gjatë asaj dite, por kishte mbetur e paqartë se kush ishte përgjegjës për sulmin. Izraeli nuk ka konfirmuar e as mohuar përfshirjen në këtë incident.

Javën e kaluar, ministri i Mbrojtjes së Izraelit, Moshe Yaalon, përsëriti zotimin e Izraelit për të qëndruar jashtë luftës civile në Siri. Gjithashtu, ai theksoi premtimin e Izraelit për të zbatuar "vijat e kuqe" që ata kanë shpallur ndaj përpjekjeve të udhëheqësve sirianë për të siguruar armë të sofistikuara për aleatët e tyre libanezë të Hezbollahut.
XS
SM
MD
LG