Lidhje

Pinheiro: Duhet t’i jepet fund luftës në Siri

  • Margaret Besheer

Kryetari i Komisionit të Pavarur Ndërkombëtar të Hetimeve në Siri tha të hënën se vendi i shkatërruar nga lufta është në "rënie të lirë". Paulo Pinheiro i tha Asamblesë së Përgjithshme të OKB se komuniteti ndërkombëtar duhet të veprojë "me vendosmëri" për t’i dhënë fund luftës në Siri.

Paulo Pinheiro dhe dy kolegë të tij kanë hetuar abuzimet e të drejtave të njeriut në Siri që nga gushti i vitit 2011. Edhe pse qeveria siriane nuk ka lejuar hyrjen e ekipit të OKB-së në vend, ata kanë intervistuar shumë njerëz të cilët kanë ikur në vendet fqinje.

Zoti Pinheiro kritikoi mosveprimin e shteteve anëtare të OKB-së, duke thënë se konflikti sirian është bërë një "kronikë e mundësive të humbura" dhe nuk do të vet-zgjidhet në mënyrë paqësore.

"Ne nuk mund të vazhdojmë përsëritjen e shkeljeve dhe abuzimeve të shumta pa ndonjë efekt mbi palët luftuese brenda Sirisë, ose njerëzit e pushtetshëm. Nuk është e mjaftueshme për të shkaktuar tronditje. Është obligim i komunitetit ndërkombëtar për të bërë atë që është e nevojshme për t’i dhënë fund luftës. Komuniteti ndërkombëtar duhet të kërkojë me ngulm arritjen e një zgjidhjeje diplomatike."

Zoti Pinheiro tha se lufta është duke vazhduar dhe të dyja palët mendojnë se fitorja ushtarake është e mundur. Ai kritikoi vendet që po dërgojnë armë për palët luftuese, duke thënë se ky veprim vetëm do ta zgjas vuajtjen e popullit sirian.

Ai fajësoi qeverinë siriane për bombaridime pa dallim nga toka dhe ajri në mbarë vendin dhe tha se edhe grupet e armatosura opozitare kanë bombarduar disa fshatra duke shkaktuar vdekjen dhe plagosjen e civilëve.

Ai radhiti shkeljet që kanë ndodhur në Siri përfshirë përdhunimin, zhdukjen e mijëra civilëve dhe sulmet ndaj furnizimeve ushqimore, duke vënë në dukje se një numër i madh shkeljesh në këtë vend kanë patur tone të forta të sektarizmit.

Ambasadori i Sirisë në OKB Bashar Ja'afari fajësoi grupet e armatosura dhe terroristët, si dhe qeveritë perëndimore dhe monarkitë arabe të Gjirit të cilat u kanë dërguar rebelëve armë dhe mbështetje financiare, për konfliktin në vend.

Javën e kaluar, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Ban Ki-moon tha se më shumë se 100 mijë njerëz janë vrarë në konfliktin mbi dy-vjeçarë në Siri.
XS
SM
MD
LG