Lidhje

Atentatet krijojnë vakum në udhëheqjen e Sirisë


تداوم خشونت ها در سوریه
تداوم خشونت ها در سوریه
Një shpërthim bombe ndërpreu të mërkurën një takim të nivelit të lartë në Damask, duke vrarë të paktën 3 zyrtarë të lartë të sigurisë, mes tyre kunatin e Presidentit Bashar al-Assad dhe ministrin e Mbrojtjes. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Mark Snowiss, sulmi kishte në shënjestër ekipin e sigurisë së zotit Assad, duke krijuar një vakum në udhëheqjen ushtarake të vendit.

Vrasjet e së mërkurës shënuan viktimat e para në radhët e zyrtarëve të nivelit të lartë që nga fillimi i kryengritjes 16 mujore kundër presidentit Assad. Këto vrasje mund të përbëjnë një pikë kthesë në luftën civile gjithnjë e më të dhunshme të Sirisë.

Viktimat i përkisnin ekipit udhëheqës të Sirisë, i cili përpiqet të shtypë kryengritjen anti-qeveritare. Madje ekspertët thonë se presidenti mund ta ketë të vështirë t’i zëvëndësojë ata. Zyrtarët e vrarë ishin Ministri i Mbrojtjes, Daoud Rajha; Gjenerali Asef Shawkat, zv. Shefi i shtabit të ushtrisë, i martuar me motrën e Presidentit Assad, dhe Hassan Turkmani, ish minister i mbrojtjes dhe këshilltar i lartë ushtarak.

Televizioni sirian e cilësoi shpërthimin si "sulm terrorist vetëvrasës", ndërsa komandanti i Ushtrisë për Çlirimin e Sirisë, Riad al-Asaad tha se forcat e tij kryengritëse e vendosën bombën në dhomën e takimit dhe e aktivizuan atë.

Brian Sayers, drejtor i marrëdhënieve qeveritare për Grupin Mbështetës Sirian, një grup lobist me bazë në Shtetet e Bashkuara, që mbështet Ushtrinë për Çlirimin e Sirisë, citon burime në Siri që thonë se sulmi ka shumë të ngjarë të jetë kryer nga një simpatizant i opozitës, pjesë e qeverisë së zotit Assad.

Nadim Shehadi, ekspert i Lindjes së Mesme në organizatën Chatham House në Londër, thotë se mungesa e ndërhyrjes së vendosur ndërkombëtare po i detyron kryengritësit sirianë që të përdorin masa ushtarake për përmbysjen e Presidentit Assad, madje ai thotë se atentatet mund të dëmtojnë opozitën siriane.

"Sa më shumë të militarizohet konflikti aq më i vështirë do të jetë tranzicioni. Të gjithë njerëzit që po armatosen tani duhet të çarmatosen pas rënies së regjimit në mënyrë që të vendoset rendi. Mungesa e një qëndrimi nga komuniteti ndërkombëtar dhe mos ndërhyrja e tij është diçka që do të kushtojë shumë më tepër në të ardhmen".

Zoti Shehadi e cilëson sulmin e së mërkurës si një "thikë me dy presa", sepse ai nuk beson që kryengritësit e opozitës mund të fitojnë kundër qeverisë vetëm me anë të forcës ushtarake.

Elliott Abrams, zv/Këshilltar i Sigurisë Kombëtare gjatë administratës së presidentit George W. Bush, thotë se vrasjet e fundit janë një paralajmërim i sertë për grupin besnik të sektit alavit të zotit Assad, grup ky i fesë islame shiite.

"Ministri i Mbrojtjes ishte i krishterë dhe jo pjesë e elites alavite, që sundon vendin. Por Gjenerali Asef Shawkat ishte pjesë e kësaj elite, e cila tani e kupton se është e pambrojtur. Al-Assadi mund të vazhdojë të sundojë pa një individ apo një tjetër, por mendoj se operacione si ai i së mërkurës trondisin regjimin dhe i tregojnë kujtdo në këtë regjim se e ardhmja është e qartë se ata nuk do të jenë në gjendje të mbajnë pushtetin".

Gazetari Farhad Hama me bazë në Damask i tha Zërit të Amerikës se vrasjet e fundit e kanë vënë qeverisë e al-Assadit në një pozitë të pasigurtë.

"Damasku ndodhet tani në një gjendje kaotike për sa i përket sigurisë, sepse viktimat e sulmit të së mërkurës kishin ndikim dhe kontroll të drejtpërdrejt mbi ushtrinë siriane dhe forcat e sigurimit".

Sulmi ka shtuar tensionet mes ushtarëve dhe opozitës, ndërsa në disa lagje të Damaskut njoftohet se ka pasur përleshje të ashpra. Aktivistët në kryeqytetin sirian thonë se trafiku është pakësuar dhe gati të gjitha dyqanet janë mbyllur. Është njoftuar gjithashtu për një seri dezertimesh nga forcat qeveritare, përfshirë dy gjeneralë brigade, që u arratisën në Turqi.
XS
SM
MD
LG