Lidhje

Media pro Asadit jep pikëpamjen e qeverisë për konfliktin


Konflikti në Siri ndikon thuajse tek të gjithë në vend, ushtria, kryengritësit, civilët dhe ata që njoftojnë rreth luftimeve. Korrespondentja e Zërit të Amerikës, Elizabeth Arrott ishte kohët e fundit në Damask dhe njofton se si e shikojnë luftën përkrahësit e qeverisë.

Për pjesën më të madhe të botës, lufta në Siri, e parë nga videot dhe zërat e aktivistëve dhe qytetarëve, përbëhet nga sulme të forcave qeveritare kundër zonave të banuara, shtypja e një opozite mospërfillëse, që përpiqet të përmbysë nga pushteti një udhëheqës autokrat. Por po të dëgjosh median pro qeverisë bëhet fjalë për një univers tjetër, në të cilin ushtria është mik dhe jo armik.

Në fillim të një njoftimi të televizionit al-Ekhbaria, dëgjohet një muzikë heroizmi, ndërsa një ushtar shoqëron një vajzë të vogël të kalojë një rrugë plot trafik, duke fituar një të puthur nga vajza për përpjekjet e tij. Është pikërisht ky imazh që vë në pikpyetje besueshmërinë e personave që punojnë për këtë stacion televiziv.
Por gazetarja e al-Ekhbarias Yara Saleh thotë se ajo përqëndrohet tek faktet dhe jo propaganda.

“Unë bëj një pyetje. A është ky njoftim 100 për qind i vërtetë? 50 për qind i vërtetë? Apo 10 për qind? E bëj këtë pyetje sepse si gazetare duhet ta bëj këtë pyetje”.

Por Yara Saleh nuk njofton thjeshtë lajmet. Në muajin gusht, ajo u bë vetë subjekt lajmesh. Ajo flet për rrëmbimin e saj dhe ekipit të saj nga luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare Siriane dhe vrasjen e ndihmësit të kameramanit të saj.

“U thashë atyre të më merrnin mua dhe ta lironin ndihmësin e kameramanit, por ata nuk e bënë këtë. U thashë se problem i tyre isha unë, unë jam gazetare, unë njoftoj për ju dhe flas kundër jush”.

Kjo nuk është hera e parë që al-Ekhbaria u vu në shënjestër. Në fillim të këtij viti, një bombë shpërtheu në selinë e stacionit në Damask. Para shpërthimit, 4 punonjës të tjerë u vranë në pritë.

Pohimet e Yara Salehit përputhen me njoftimet e qeverisë rreth konfliktit se në protestat legjitime janë përfshirë edhe terroristë të huaj, të mbështetur nga Perëndimi dhe aleatët e tij arabë suni.

“Ne nuk kemi nevojë të flasim rreth sirianëve në vend, por të flasim më shumë rreth njerzve që nuk janë sirianë”.

Që prej fillimit të konfliktit, Presidenti Bashar al-Assad ka lejuar një farë opozite të brendshme, për sa kohë që vepron brenda kufizimeve qeveritare. Këta zëra “legjitimë” mbajnë konferenca shtypi në Damask dhe drejtojnë Ministrinë e Ripajtimit.

Por një numër i madh njerëzish kanë humbur jetën nga të dyja palët, duke bërë që një zgjidhje paqësore të duket më larg se kurrë më parë. Megjithatë, disa njerëz shikojnë mundësi pozitive, sado të pakta qofshin ato.

Drejtori i televizionit Al-Ekhbaria, Imad Sara e përshkruan veten si një kundërshtar të korrupsionit, qoftë ai në qarqet qeveritare apo në sektorë të tjerë dhe si mbrojtës të Sirisë.

“Media perëndimore e portretizon televizionin tim si mbrojtës të regjimit dhe kjo është krejtësisht e gabuar. Unë mbroj vendin tim, të krishterët, myslimanët, të gjitha grupet".

Kjo është një pikpamje që po shprehet gjithnjë e më shumë nga përkrahësit e dikurshëm e të vendosur të sistemit. Duke theksuar elementin e huaj, disa njerëz shpresojnë se mund të kapërcejnë mospajtimet e tyre të brendshme.

Ky është një mesazh që gazetarja Saleh u përpoq t’i jepte njërit prej rrëmbyesve të saj, i plagosur për vdekje, në operacionin ushtarak, që e liroi atë.

“Nuk mund ta mbroja atë, por para se të vdiste i thashë, “Ne jemi sirianë. Nuk jemi përbindësha, siç mendon ti”.

Nëse të gjitha palët mund ta pranojnë këtë argument bëhet gjithnjë e më e paqartë me vazhdimin e luftës.
XS
SM
MD
LG