Lidhje

SHBA shtojnë mbështetjen financiare për opozitën siriane


Administrata e Presidentit Obama po shton mbështetjen financare për kundërshtarët e Presidentit Bashar al-Assad. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Skot Stërn, na informon nga Nju Jorku, ku sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton, drejtoi një takim të ministrave të jashtëm të vendeve që mbështesin opozitën siriane.

Sekretarja Klinton tha se Uashingtoni do të japë edhe 15 milionë dollarë për kundërshtarët politikë të Presidentit Asad dhe 30 milionë dollarë të tjera si ndihmë humanitare për ata që janë zhvendosur për shkak të luftimeve.

"Kushtet në Siri vazhdojnë të përkeqsohen, ndërkohë që regjimi i Asadit lufton pa pushim me popullin e vet. Për më tepër, ne po shikojmë më shumë njerëz të shtruar në spitale, më shumë trupa në morge dhe më shumë refugjatë që lartohen nga vendi i tyre për në vendet fqinje”.

Sekretarja Klinton foli në një takim të ministrave të jashtëm të vendeve të grupit të quajtur “Miqtë e Sirisë”. Disa nga vendet e këtij grupi ndihmojnë në armatosjen e kryengritësve sirianë. Të tjerë, si Shtetet e Bashkuara, i kanë kufizuar ndihmën e tyre në nevojat humanitare.

Rusia dhe Kina vazhdojnë të bllokojnë masa më të rrepta kundër Damaskut në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, duke argumentuar se sanksionet janë me pasoja në punët e brendëshme të Sirisë dhe se zgjidhja e konfliktit nuk mund të detyrohet nga jashtë. Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Arabe, Nabil ElArabi tha nëtakim se ka ardhur koha për një tranzicion poliltik në Siri, sepse gjendja po acarohet gjithnjë e më shumë.

"Populli sirian i ka sytë nga ne, nëse ne jemi me të vërtetë miqtë e popullit sirian, për të marrë masa konkrete dhe praktike për t’i dhënë fund kësaj krize tragjike dhe në fakt të rrezikshme, për të shpëtuar jetën e njerëzve të pafajshëm dhe për të shpëtuar Sirinë dhe gjithë rajonin nga një luftë edhe më e gjerë civile dhe nga tragjedi të tjera të përmasave më të mëdha”.

Sekretarja Klinton tha se grupi libanez shiit, Hezbollah, dhe përkrahësi i tij, Irani, po e ndihmojnë Presidentin Assad të qendrojë në pushtet.

"Nuk ka më asnjë dyshim se Teherani do të bëjë çfarë të mundet për të mbrojtur aleatin e tij në Damask”.

Me shtrirjen e dhunës sektare në Liban, zonja Klinton tha se rreziku i rritjes së ekstremizmit shtohet dhe bashkë me të edhe vazhdimi i luftimeve.

"Ne e dimë se regjimi do të bëjë çfarë të mundet për t’i nxitur komunitetit kundër njeri tjetrit dhe ekstremistët do të shfrytëzojnë me zell tensionet për të avancuar ideologjinë e tyre brutale”.

Prandaj, tha ajo, grupet e shoqërisë civile dhe opozia politike duhet të sigurojnë pakicat se do të jenë të sigurt në Sirinë pas Asadit. Mungesa e unitetit mes opozitës politike siriane ishte në krye të rendit të ditës në takimin e grupit “Miqtë e Sirisë”, ku ministrat e jashtëm u takuan me nëntë udhëheqës të opozitës siriane.

Shtetet e Bashkuara besojnë se i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara, Lakhdar Brahimi duhet të ndihmojë që kundërshtarët e Asadit të bashkohen, sepse sipas arsyetimit të Uashingtonit, një opozitë më e bashkuar mund të luajë një rol më efektiv në tranzicionin politik.
XS
SM
MD
LG