Lidhje

SHBA: Administrata kërkon ndërhyrjen në Siri


Administrata presidentit Obama ka intensifikuar trysninë ndaj ligjvënësve amerikanë që të autorizojnë përdorimin e forcës kundër regjimit sirian për shkak të sulmit me gaz nervor të para më pak se dy javësh i cili shkaktoi një numër të madh viktimash civile. Disa anëtarë të Kongresit janë skeptik në lidhje me pasojat e një sulmi të kufizuar kundër Sirisë, por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës në Kongres, Michael Bowman, duket se përpjekjet lobuese të Shtëpisë së Bardhë po sjellin rezultate.

Në Shtëpinë e Bardhë dhe në ndërtesën e Kongresit, administrata e Presidetit Obama dje paraqiti argumentet për veprime ushtarake kundër regjimit sirian. Duke folur përpara Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, Sekretari i Shtetit John Kerry u shpreh kështu lidhur me përdorimin e armëve kimike:

"Sulmi me armë kimike ka ndodhur dhe është kryer nga regjimi i Assadit. "
Kerry paralajmëroi për pasojat e mosveprimit.

"Nëse jeni presidenti Bashar al-Assad, ose ndonjë despot tjetër nga ai rajon, dhe Shtetet e Bashkuara së bashku me aleatët dhe miqtë saj nuk veprojnë në këtë moment, atëherë për zotin Assad ky do të ishte një mesazh i mosndëshkimit”.

Disa protestues që janë kundër ndërhyrjes ushtarake në Siri disa herë e ndërprenë seancën dëgjimore. Kryetari i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, Robert Menendez pranoi se Amerikanët janë të lodhur nga lufta, por tha se Shtetet e Bashkuara nuk mund të qëndrojnë duarkryq.

"Ne ose do t’i dërgojmë një mesazh Sirisë, Iranit, Koresë së Veriut, Hezbollahut, al-Kaidës dhe aktorëve të tjerë jo-shtetërorë se bota nuk do të tolerojë përdorimin e armëve kimike, ose do të zgjedhim të qëndrojmë të heshtur përballë vuajtjeve të tmerrshme njerëzore."

Disa ligjvënës i vunë në pikëpyetje rezultatet që mund të arrihen nga një sulm i kufizuar ushtarak kundër regjimit të presidentit sirian Bashar al -Asad. Senatori republikan James Risch hodhi në debat një skenar shqetësues.

"Çfarë do të ndodh nëse ne ndërmarrim një sulm të kufizuar dhe pas disa ditësh, javësh ose muajsh, presidenti Assad del në publik dhe thotë:"Unë i rezistova fuqisë më të madhe në botë dhe fitova" .

Sekretari Kerry argumentoi se sulmet amerikane në asnjë mënyrë nuk do ta forcojnë udhëheqësin sirian. Në fakt, tha ai, thjesht kërcënimi për përdorimin e forcës tashmë është duke përshpejtuar dezertimet në mesin e përkrahësve të zotit Assad.

Sondazhet tregojnë për nivele të ulëta të mbështetjes se publikut amerikan për ndërhyrjen në Siri, e cila u theksua edhe nga senatori Republikan Rand Paul.

"Asnjë person nuk ka ardhur tek unë për të shprehur mbështetjen për këtë luftë. Asnjeri".

Zyrtarët amerikanë thonë se përdorimi i forcës në Siri nuk do të përbënte një luftë të shkallës së plotë. Duke folur në Shtëpinë e Bardhë dje, Presidenti Barak Obama u përpoq të theksonte dallimin në mes të një sulmi të kufizuar ushtarak në Siri dhe luftërave të fundit amerikane duke thënë se, "Kjo përpjekje nuk është një Irak ose një Afganistan. "

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve John Boehner pas një takimi në Shtëpinë e Bardhë u shpreh në mbështetje të përdorimit të forcës në Siri. Në fillim të javës së ardhshme kjo çështje pritet të hidhet në votim në të dyja dhomat e Kongresit.
XS
SM
MD
LG