Lidhje

Brahimi: Zgjedhjet në Siri kërcënojnë dialogun

  • Margaret Besheer

Ndërkohë që konflikti sirian hyri këtë javë në vitin e katërt, ndërmjetësuesi ndërkombëtar Lakhdar Brahimi paralajmëroi se nëse zgjedhjet presidenciale zhvillohen brenda pak muajsh, ato mund të kërcënojnë bisedimet e paqes mes qeverisë dhe opozitës.

Përfaqësuesi special Lakdar Brahimi tha në komentet për shtyp pas një takimi me dyer të mbyllura të Këshillit të Sigurimit se megjithëse nuk ka pasur njoftim zyrtar në Damask për zhvillimin e zgjedhjeve presidenciale që ishte në plan të mbaheshin në korrik, ka plot shenja që tregojnë se zgjedhjet do të zhvillohen:

"Nëse zhvillohen zgjedhjet, kam përshtypjen se e opozita ka të ngjarë të mos jetë e interesuar të dialogojë me qeverinë”.

Në komente kokë-më-kokë, diplomatët perëndimorë shprehën të njëjtin shqetësim duke thënë se nëse Presidenti Bashar al-Asad u përmbahet planeve për zhvillimin e votimeve, që sipas gjasave do të shoqërohen me manipulime, nuk do të kishte më interes nga opozita për t’u kthyer në bisedime.

Bisedimet e paqes, të njohura si Gjeneva II, përfunduan në janar pa shënuar përparim dhe pa caktuar një datë për takimin e ardhshëm.

Diplomatët thonë se zoti Brahimi ende pret përgjigje nga Damasku për rendin e ditës së takimit të ardhshëm. Ai ka propozuar që të diskutohen paralelisht terrorizmin – temë që kërkohet nga Damasku si dhe ngritja e një organi të përkohëshëm qeverisës, që kërkohet nga opozita, por deri tani qeveria nuk ka pranuar.

E gjithë kjo nënkupton se vuajtjet e popullit sirian ka gjasa të vazhdojnë.

Muajin e kaluar, Këshilli i Sigurimit i OKB-së kërkoi në mënyrë unanime që si qeveria, ashtu edhe opozita të lejojnë lëvizjen pa kufizime të ekipeve të ndihmave drejt personave në nevojë, përfshirë 250 mijë vetë që jetojnë në zona të rrethuara.

Këshilli i Sigurimit do të dëgjojë raportin e shefes së operacioneve humanitare të OKB-së Valerie Amos brenda këtij muaji lidhur me masat që janë marrë për të lehtësuar pengesat burokratike dhe bllokimet që pengonin futjen e ndihmave ndërkombëtare si dhe situatën me sulmet me bomba nga forcat qeveritare, pa dallim nga objekti i sulmit.

Sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara Ban Ki-moon si dhe i dërguari Brahimi do të informojnë Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së sot paradite lidhur me situatën në Siri.
XS
SM
MD
LG