Lidhje

Opozita siriane diskuton konferencën e paqes

  • Edward Yeranian

Opozita siriane vazhdon sot bisedimet në Stamboll, ku udhëheqësit po diskutojnë nëse të marrin pjesë në konferencën e paqes që ndërkombëtarët po përpiqen të organizojnë në Gjenevë për paqe në Siri.

Takimi i fund-javës i opozitës sirianë në Stamboll zhvillohet ndërkohë që gjëmimet e topave vazhdojnë të trondisin lagjet përreth Damaskut dhe qytete të rëndësishme si Homs dhe Alepo. Trupat qeveritare vazhdojnë të mbajnë të rrethuara bazat e kryengritësve në lagjet veriore në periferi të kryeqytetit, por kryengritësit kanë rimarrë një bazë pranë aeroportit të Alepos.

Udhëheqësit e Koalicionit Kombëtar Sirian, një grupim forcash kryengritëse, zhvilluan takime me dyert të mbyllura në një hotel të Stambollit, në përpjekje për të dalë me një qëndrim unik lidhur me konferencën e paqes që po përpiqen të organizojnë fuqitë botërore. Mundësia që në konferencë të marrin pjesë Presidenti sirian Bashar al-Asad dhe Irani ka sjellë divergjenca në radhët e udhëheqësve të opozitës siriane lidhur me pjesëmarrjes.

Zëdhënësi i koalicionit Khaled Saleh tha në komentet për shtyp se grupi nuk ka marrë ende nuk vendim përfundimtar nëse do të marrë pjesë në konferencë. Duhen sqaruar më parë një numër dilemash.

Zoti Saleh thotë se grupi i tij pret të marrë një ftesë zyrtare për pjesëmarrjen në konferencë nga Kombet e Bashkuara, të cilat e sponsorizojnë konferecën. Ai shtoi se koalicioni opozitar shpreson që Rusia do t’i bëjë presion regjimit të Asadit në mënyrë që takimi të rezultojë me suksese konkrete dhe jo fjalë boshe.

Një numër udhëheqësish të lartë të opozitës vazhdojnë të këmbëngulin se nuk do të marrin pjesë pa marrë më parë garanci nga Presidenti Asad se do të largohet nga pushteti. Zoti Asad nuk ka pranuar të japë dorëheqjen, duke thenë se ka në plan të konkurrojë për t’u rizgjedhur në 2014. Një tjetër pengesë është mundësia e pjesëmarrjes së Iranit në konferencë.

Studiuesi i zhvillimeve në Lindjen e Mesme Fouad Ajami pranë Institutit Hoover argumenton se opozita siriane është nën presion të fortë për të marrë pjesë në konferencën e Gjenevës, por pjesëmarrja nuk ofron përfitime domethënëse për të, duke pasur parasysh dasitë mes vendeve arabe dhe tendencën për zbutjen e marrëdhënieve mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit.

"Mendoj se balanca në rajon gjatë 2013 ka qenë katastrofike për opozitën. Ata do të ndeshen me presion shumë të madh për të marrë pjesë në konferencën e Gjenevës. Nëse nuk shkojnë do të shihen si një grupim që nuk tregon vullnetin për kompromis. Por edhe nëse shkojnë, nuk do të jetë në interes të tyre. Sido që të vijë puna, dalin të humbur”.

Zoti Ajami beson gjithashtu se “dritarja e mundësisë” që opozita të rrëzojë Presidentin Asad nuk ekziston më dhe se tani Asadi ka “avantazhin e armëve, fondeve dhe autoritetit shtetëror”. Marrëveshja për shkatërrimin e armëve kimike i ka dhënë Asadit një peridhë pauze, pasi askush në komunitetin ndërkombëtar nuk është i interesuar të merret me rrëzimin e tij nga pushteti, ndërkohë që ai po dorëzon armët kimike.

Kryengritësit dhe forcat ekstremiste islamiste në Siri janë betuar të mos marrin pjesë në konferencë nëse është i pranishëm Asadi.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG