Lidhje

Siria dhe mësimet e nxjerra në rajon


Dënimi i ish-presidentit egjyptian Hosni Mubarak me burgim të përjetshëm shënon një hap të rëndësishëm, në mos të përsosur, në kalimin në një regjim pas-autokratik. Elizabeth Arrott e Zërit të Amerikës shpjegon në materialin në vazhdim nëse mësimi i nxjerrë nga Mubaraku, apo udhëheqës të tjerë të rrëzuar në rajon, mund të aplikohet në Siri.

Gjatë 18 muajve të kaluar, kryengritjet në mbarë botën arabe kanë rrëzuar katër udhëheqës nga pushteti që mbanin prej dekadash. Zine El Abidine Ben Ali i Tunizisë gjeti strehim në Arabinë Saudite. Pushteti i Moammar Gadafit mori fund dhe me ndërhyrjen e NATO-s, ish-udhëheqësi libian u detyrua të fshihej e përfundimisht të vritej nga njerëzit e tij.

Në Jemen, një zgjidhje diplomatike i dha fund ngërçit politik; një marrëveshje rajonale i dha shtytje presidentit Ali Abdullah Saleh ta kalonte pushtetin tek zëvendësi i tij.
Tani, dënimi me burgim të përjetshëm për Hosni Mubarakun, i cili dha dorëheqje nga posti i presidentit, ofron një tjetër rast studimi të autokracisë arabe përballë vullnetit të popullit. Çfarë do të thotë kjo për zgjidhjen e dhunës në Siri pas kryengritjes së pranverës arabe?

Nadim Shehadi me organizatën Chatham House me seli në Londër thotë se historia e presidentit sirian Bashar al-Assad, ashtu si ajo e Gadafit të Libisë, është ndryshe nga ajo e udhëheqësve të rrëzuar në Tunizi dhe Egjipt.

"Është tepër vonë për Presidentin Bashar al-Asad të ndjekë hapat e Ben Aliut apo Mubarakut, sepse ai as që e pranon ekzistencën e një opozite dhe ende është duke e luftuar atë me të gjitha mjetet. Pra, zgjedhja e tij është ose të përfundojë si Gadafi, ose të ketë një lloj marrëveshje si ajo e Ali Abdullah Salehit".

Pas disa premtimeve të rreme nga presidenti i Jemenit, udhëheqësit arabë të Këshillit të Bashkëpunimit të Gjirit ishin në gjendje të siguronin dorëzimin e pushtetit tek zëvendësi i tij. Në javët e fundit, modeli i Jemenit ka filluar të shihet në dritë gjithnjë e më pozitive nga bashkësia ndërkombëtare, ndërkohë që përpjekjet e tjera diplomatike po dështojnë.

"Mendoj se do të jetë shumë e vështirë të arrish një marrëveshje me presidentit Bashar al-Assad pasi komuniteti ndërkombëtar ka humbur besimin në çdo gjë që ai thotë. Pra nuk ka besim të mjaftueshëm për të arritur një marrëveshje me të. Edhe presidenti Ali Abdullah Saleh vazhdoi të bënte lojra pasi arriti marrëveshjen. Ai ende vazhdon të bëjë lojra".

Analisti politik Hisham Kassem me bazë në Kajro është dakord me mendimin se modeli i Jemenit ka pak shpresa të ndiqet edhe në Siri. Ai argumenton se ideja e largimit të Asadit në mënyrë të ngjashme me rastin e Ben Ali, mund të ishte dikur një mundësi, po qe se presidenti sirian do të gjente strehë në vendin aleat, Iran. Por Kassem mendon se ky moment ka kaluar.

"Ndoshta Bashari tani po mendon nëse duhet ta kishte ndjekur modelin e Ben Aliut kohë më parë, pasi ai mund të qëndrojë në pushtet vetëm përmes gjakëderdhjes. Pra, ndoshta është shumë vonë dhe ai mund të jetë duke e gjykuar si gabim që nuk ndoqi shembullin e Ben Aliut ".

Si shumë analistë zoti Kassem ka pak shpresa për një zgjidhje diplomatike të situatës.

“Nuk mendoj se në këtë pikë Bashari po analizon situatën apo po përpiqet të mësojë më shumë. Ai është kufizuar në mendim dhe e di se asgjë nuk mund ta shpëtojë nëse nuk vazhdon me këtë masakër dhe fiton”.

Nëse regjimi i presidentit Assad rrëzohet me forcë, zoti Kassem thotë se udhëheqësi sirian ka të ngjarë të përballet me një situatë të ngjashme atë të Gadafit. Këtë gjë, shton zoti Kassem, Bashar al-Asadi e ka fare të qartë.
XS
SM
MD
LG