Lidhje

Ndërhyrja amerikane në Siri në vemendje të rajonit


Ndërhyrja ushtarake amerikane në Siri ka tërhequr vemendjen e faktorëve të interesuar në konfliktin e Sirisë dhe ka ngjallur shqetësime se si do të reagojë ata që janë si pro ashtu edhe kundër qeverisë siriane. Korrespondetja e Zërit të Amerikës në Kajro, Elizabeth Arrott, na sjell hollësi.

Presidenti Bashar al Assad ka paralajmëruar se ndërhyrja ushtarake amerikane në Siri do të bëhet shkak për një luftë rajonale. Edhe pa këtë ndërhyrje konflikti në Siri është kërcënim për rajonin.

Eksperti i shkencave politike Christian Donath thotë se fuqitë rajonale, nga kundërshtarët e Assadit si, Arabia Saudite tek përkrahësit e tij, si Irani, po e shfrytëzojnë luftën në betejat e tyre me rivalët e tjerë.

"Sauditët e kanë parë sirinë si një mundësi për të sprapsur iranianët. Iranianët e shikojnë kryengritjen kundër Assadit si kërcënim për linjën e tyre për t’i dërguar ndihmë Hezbollahut në Liban”.

Fqinjët e Sirisë po vlerësojnë tani se cili do të ishte ndikimi i sulmit amerikan, nga masat ndëshkuese për përdorimin e armëve kimike në Siri, tek përpjekja për përmbysjen e regjimit. Analisti politik Mustafa Labbad diskuton këto prirje.

"Mendoj se iranianët do të vrojtojnë me kujdes se çfarë do të bëjnë amerikanët kundër Bashar al Assad-it dhe atëhere do të vendosin për t’u hakmarrë. Ata kanë Hezbollahun në Liban për hakmarrje indirekte. Por në këtë rast, izraeli do të angazhohet. Nëse izraelitët angazhohen, atëhere do të angazhohen edhe iranianët, dhe ndoshta Izraeli do të ndërmarrë një sulm kundër Iranit”.

Shqetësimet e Izraelit për Iranin vijnë kryesisht nga programi bërthamor i Teheranit dhe jo lufta në Siri. Por profesor Donath thotë se një sulm amerikan kundër Sirisë do ta ndihmonte Izraelin.

"Izraeli është shprehur për vite me radhe për një sulm të mundshëm kundër Iranit dhe mendoj se një nga gjërat që administrata amerikane ka bërë është frenimi i izraelitëve, duke e bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara nuk e duan një sulm kundër Iranit”.

Analisti politik Labbad i vë theksin diplomacisë në prapaskenë mes Iranit dhe Shteteve të Bashkuara me ndërmjetësinë e Sulltanit të Omanit për të siguruar Iranin se sulmi nuk ka si qëllim përmbysjen e zotit Assad.

"... Do të shikojmë marrëveshjen SHBA-Iran se asnjë palë, as edhe Shtetet e Bashkuara nuk synon përmbysjen e Bashar al Assad-it.”

Labbad argumenton se megjithë pasigurinë, fuqitë rajonale po kalkulojnë tani përgjigjen e tyre ndaj një sulmi të kufizuar ajror nga Shtetet e Bashkuara. Nëse kjo nuk ndodh, thotë ai, gjithçka është e pritshme dhe mundësia për një “kaos rajonal” rritet.
XS
SM
MD
LG