Lidhje

Kerri: Asadi nuk do të jetë anëtar i një qeverie të përkohshme


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha se një qeveri e përkohshme në Siri nuk do të përfshinte presidentin Bashar al-Assad. Zoti Kerry i bëri komentet sot në Romë, gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm jordanez Nasser Judeh, duke shtuar se qëllimi është gjetja e një zgjidhjeje politike të pranuar nga qeveria siriane dhe nga forcat që kundërshtojnë zotin Assad.

Gjatë një takimi me ministrin e Jashtëm jordanez Nasser Judeh në Romë, Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha se synimi i përbashkët ishte një marrëveshje mes palëve.

"Ministri i jashtëm Judeh do të vazhdojë të punojë me ne, duke u përpjekur për të sjellë në tryezë të gjitha palët, në mënyrë që të mund të formohet një qeveri tranzicioni me pëlqimin reciprok të të dyja palëve. Është e qartë se kjo, në gjykimin tonë, do të thotë se presidenti Assad nuk do të jetë anëtar i asaj qeverie të përkohshme".

Koalicioni kryesor opozitar i Sirisë ka kërkuar prej kohësh që cilido qoftë procesi i paqes, ai duhet të fillojë lënien e pushtetit nga ana e zotit Assad dhe zyrtarëve të lartë të sigurisë.

Pak ditë më parë, zoti Kerry dhe ministri i Jashtëm rus Sergei Lavrov njoftuan se shpresojnë të organizojnë një konferencë ndërkombëtare gjatë këtij muaji për të nisur bisedimet e paqes në Siri. Diplomatët thanë se ata do të përpiqen të bindin dy palët për të negociuar, duke u bazuar në një plan që bën thirrje për një qeveri kalimtare, e cila do të udhëheqë vendin drejt zgjedhjeve.

Shtetet e Bashkuara i kanë bërë thirrje zotit Asad të japë dorëheqjen, ndërkohë që Rusisë, një aleate e hershme e Sirisë, ka hedhur poshtë thirrjet e vendeve të huaja për lënien e pushtetit nga ana e presidentit sirian. Megjithatë, Rusia ka tentuar gjithashtu të distancohet nga e ardhmja politike e presidentit Assad.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG