Lidhje

SHBA: Ligjvënësit kërkojnë veprime kundër Sirisë

  • Michael Bowman

Ligjvënësit amerikanë thonë se Shtetet e Bashkuara nuk mund të injorojnë njoftimet që Siria ka përdorur armë kimike. Javën e kaluar Shtëpia e Bardhë informoi ligjvënësit amerikanë se beson që qeveria e Presidentit Bashar al-Asad ka përdorur sasi të vogla gazi sarin – një armë kimike – gjatë konfliktit të përgjakshëm civil në Siri. Deklarata u prit me reagime të forta nga ligjvënësit, që u ndjenë edhe në komentet e tyre dje. Në një intervistë për programin televiziv Meet the Press, senatori republikan John McCain kërkoi veprime të menjëhershme:

“Armatosja e kryengritësve sirianë, ndihma për refugjatët dhe përgatitjet për një forcë ndërkombëtare që të ndërhyjë për t’i vënë nën kontroll stoqet e armëve kimike e ndoshta edhe armët biologjike që mund të ekzistojnë. Këto armë nuk duhet të bien në duart e xhihadistëve”.

Senatori McCain bëri gjithashtu thirrje për vendosjen e një zone ndalim-fluturimesh mbi Siri.

Shtëpia e Bardhë tha se kërkon nga Kombet e Bashkuara të konfirmojnë bindjen e Shteteve të Bashkuara se armët kimike janë përdorur. Presidenti Obama është shprehur se ekziston një vijë e kuqe dhe se nëse kalohet kjo vijë, Amerika do të përgjigjet. Senatori McCain tha se qëndrimi i administratës nuk ka arritur të ndalë gjakderdhjen në Siri:

“Presidenti tha se vija e kuqe është deri tek përdorimi i armëve kimike, pra i ka dhënë Asadit dorë të lirë të bëjë ç’të dojë, përfshirë përdorimin e raketave Scud, helikopterëve luftarakë, goditjeve ajrore, ekzekutimeve në masë dhe masakrave të gjera, për sa kohë që nuk përdor armë kimike”.

Shtetet e Bashkuara kanë ofruar ndihma jo-vdekjeprurëse për opozitën siriane. Administrata Obama nuk ka reaguar ndaj thirrjeve që Shtetet e Bashkuara të ndërhyjnë ushtarakisht në Siri, duke thënë se regjimi i Presidentit Asad do të marrë fund, pavarësisht nga veprimet amerikane.

Por edhe disa aleatë demokratë të Presidentit Obama në Kongres thanë se Amerika duhet të bëjë më shumë. Ligjvënësi Keith Ellison dha një intervistë për emisionin Meet the Press:

“Besoj se Shtetet e Bashkuara mund të luajnë një rol më të madh në përgjigje të krizës humanitare. Konflikti ka pasur pasoja që janë ndjerë edhe në Jordani e në Liban, ka pasur dyndje regugjatësh jashtë si dhe persona të vendosur brenda Sirisë. Konflikti ka shkaktuar vuajtje masive, prandaj nuk mendoj se superfuqia e botës mund të qëndrojë duarkryq”.

Ligjvënësi republikan Peter King tha se, duke qenë se është vendosur vija e kuqe për veprimet e regjimit sirian, nënkupton që duhet të bëhet diçka kur kapërcehet kjo vijë. As ligjvënësi dhe as administrata Obama nuk kanë folur në hollësi lidhur me veprimet që duhen ndërmarrë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG