Lidhje

Trajnimi i rebelëve sirianë nga SHBA


Ndërsa debati mbi një sulm të mundshëm amerikan kundër Sirisë vazhdon, në Kongres disa ligjvënës kërkojnë që ushtria amerikane të marrë rol në trajnimin e luftëtarëve të opozitës siriane në Jordaninë fqinje.

Trajnimi i rebelëve sirianë nga SHBA-ja është kryer në mënyrë të fshehtë dhe në shkallë të vogël. Tani, në Uashington disa duan që ai angazhim të rritet duke përdorur më shumë burime të ushtrisë amerikane. Midis atyre që mbështesin ndihmën e hapur ndaj rebelëve është senatori Lindsey Graham, i cili u takua me Presidentin Obama në Shtëpinë e Bardhë .

"Duket se kjo administratë po përgatit një plan të qartë për të përmirësuar opozitën dhe për të përfshirë më tepër lojtarët rajonalë. Arabia Saudite, Turqia, Jordania, shumë nga vendet arabe të Gjirit Persik kanë qenë duke ndihmuar në heshtje. Tani është koha për të mos qenë më të fshehtë dhe për të ndihmuar hapur."

Trupat amerikane tashmë ndodhen në Jordani, ku prej një kohe të gjatë kanë trajnuar forca aleate në të kaluarën. Forcat ushtarake të Shteteve të Bashkuara janë të gatshme për të nisur një sulm të kufizuar për të dobësuar Presidentin sirian Bashar al Assad, por jo me synimin për ta hequr nga pushteti.

Kreu i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë amerikane, gjenerali Martin Dempsey, u tha ligjvënësve se përveç një sulmi të kufizuar ndaj Sirisë, ushtria amerikane mund të trajnojë opozitën siriane për të mposhtur forcat e Asadit duke sjellë dhe largimin e tij të mundshëm.

"Rruga drejt zgjidhjes së konfliktit sirian është përmes një opozite të zhvilluar, të aftë dhe të moderuar. Dhe ne dimë se si ta mundësojmë këtë."

Ndërsa debati mbi një përfshirje të mundshme të Shteteve të Bashkuara në një tjetër konflikt në Lindjen e Mesme është ende i ndezur, zyrtarët e Pentagonit preferojnë të mos diskutojnë mbi përgatitjet rreth programeve të zgjeruara të trajnimit për rebelët sirianë.

"Për momentin, duke patur parasysh situatën aktuale, nuk do të flas mbi detajet e planifikimeve tona. Por ne përgatitemi për çdo gjë, dhe siç e kam thënë më parë, vazhdojmë të planifikojmë dhe të konsultohemi me partnerët tanë në rajon."

Rebelët ankohen se armët e lehta dhe ndihmat e tjera në armatime të premtuara nga SHBA-ja janë vonuar. Analisti Michael O'Hanlon thotë se kjo është për shkak se zyrtarët amerikanë duhet të sigurohen që ndihma nuk do të bierë në duart e ekstremistëve.

"Ka rreth një mijë e 200 grupe kryengritëse, çka do të thotë që vërtetë nuk mund të dish se kujt t’ua japësh këto armë dhe se si të sigurosh kontrollin e tyre më pas. Dhe kjo çështje ngre pyetjen nëse duhet të kërkojmë të bëjmë më shumë. Pra jo vetëm të trajnojmë, por dhe të ndërtojmë një organizatë dhe një hierarki."

Skena si këto, ku rebelët sirianë shfaqen duke u përgatitur të ekzekutojnë ushtarë të kapur sirianë, theksojnë dyshimet nëse ndihma ndaj rebelëve është vendim i drejtë. Kjo video është filmuar në vitin 2012 dhe u bë publike kohët e fundit nga gazeta New York Times.

Administrata Obama duhet tani të vendosë nëse dëshiron të vazhdojë të ndihmojë në mënyrë të fshehtë dhe në heshtje apo të thellojë përfshirjen e saj.
XS
SM
MD
LG