Lidhje

Shtetet e Bashkuara thonë se do të furnizojnë me armatime forcat rebele në Siri


Ky vendim u mor pasi zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se administrata tani ka dëshmi bindëse se trupat siriane kanë përdorur armë kimike kundër rebelëve

Zyrtarët në Shtetet e Bashkuara thonë se do të furnizojnë me armatime forcat rebele në Siri, një vendim që u prit pozitivisht nga aleatët amerikane në Evropë.

Ky vendim u mor pasi zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë thanë se administrata e presidentit Obama tani ka dëshmi bindëse se trupat siriane kanë përdorur armë kimike kundër rebelëve, përfshirë gazin vdekjeprurës sarin, një veprim për të cilin presidenti Barack Obama ka thënë se do të kalonte “vijën së kuqe”.

Siria i hodhi sot poshtë thëniet se ka përdorur armë kimike ndaj rebelëve, duke shtuar se Shtetet e Bashkuara janë bazuar për këtë përfundim mbi informacione të fabrikuara.

Zëvendës Këshilltari i presidentit për Sigurinë Kombëtare Ben Rhodes foli dje me gazetarët mbi veprimet e ardhshme të presidentit.Shtëpia e Bardhë ka publikuar rezultatet e një analize të re sipas së cilës regjimi i Asadit ka përdorur armë kimike në sasi të vogla në Siri. Presidenti Obama ka marrë vendimin të ofrojë ndihma të reja, përfshirë ndihma ushtarake të paspecifikuara për forcat e opozitës siriane.

Pas asaj që u cilësua si një analizë me pikësynim, Shtëpia e Bardhë thotë se janë përdorur armë kimike, përfshirë gazin sarin në sasi të vogla, disa herë, kundër forcave opozitare gjatë vitit të kaluar.

Në një deklaratë thuhet se agjencitë e zbulimit e përmbyllën analizën me një nivel të lartë besimi në rezultatin e arritur, bazuar “në burime të ndryshme, të pavarura informacioni”. Po sipas deklaratës, 100-150 vetë kanë gjetur vdekjen nga armë kimike në Siri deri tani, por autorët e analizës thonë se të dhënat për viktimat nuk janë të plota”.

Shtëpia e Bardhë ofroi hollësi të analizës për anëtarët e Kongresit dhe ka shkëmbyer informacion edhe me vendet aleate në, Kombet e Bashkuara dhe Rusinë.

Zëvendës Këshillitari për Sigurinë Kombëtare, Ben Rhodes, i cili mbulon Çështjet e Komunikimeve Strategjike tha se Siria e kishte kapërcyer vijën e kuqe që kishte vendosur Presidenti Obama.

Por zoti Rhodes shtoi se kjo nuk nënkupton që do të dërgohen trupa tokësore amerikane në terren, por se Këshilli Opozitar Sirian dhe Këshilli i Lartë Ushtarak i kryengritësve do të marrin ndihma direkte:

“Këto ndihma do të dallohen si nga aftësia ashtu edhe sasia e tyre krahasuar me ndihmat që kemi ofruar më parë. Presidenti ka marrë vendim, pjesërisht si rezultat i konfirmimit se janë përdorur armë kimike dhe ka vendosur të ofrojë ndihma të reja për opozitën”.

Zoti Rhodes tha se ndihmat e reja ofrohen në bashkërendim me vendet në rajon, veçanërisht Arabinë Saudite, Jordaninë, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Katarin dhe në konsultim me Britaninë dhe Francën.

Zyrtari i Shtëpisë së Bardhë tha se nuk është marrë ndonjë vendim për vendosjen e një zone ndalim-fluturimi, megjithëse janë hartuar plane për skenare të ndryshme.

Zoti Rhodes tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të konsultohen me opozitën siriane dhe aleatët dhe partnerët lidhur me hapat që ofrojnë mundësitë më të mira për të arritur rezultate pozitive në terren.

Ai shtoi se Shtetet e Bashkuara ende besojnë se zgjidhja politike është zgjidhja e preferuar për situatën në Siri dhe se procesi i Gjenevës ofron modelin e zgjidhjes. Bisedimet mes palëve duhet të përfshijnë opozitën dhe regjimin e Asadit, megjithëse ai vuri në dukje se Rusia ende nuk ka përqaftuar idenë për largimin e Asadit nga pushteti.
XS
SM
MD
LG