Lidhje

Një mortajë siriane godet territorin turk


Media shtetërore turke thotë se një raund i ri me predha artilerie nga Siria ka goditur Turqinë e jugut. Agjencia e lajmeve Anatolia thotë se ushtria turke u përgjigj sot me artileri, pasi një predhë shpërtheu në një zonë rurale, ndërkohë që në anën siriane të kufirit vazhdonin luftimet mes forcave qeveritare dhe opozitës siriane.

Mortaja ka zgjuar shqetësimet se kriza në Siri mund të dalë jashtë kontrollit dhe të përhapë konflikt rajonal.

Bombardimet e fundit pasojnë komentet e djeshme të Kryeministrit turk Reçep Taip Erdogan drejtuar Sirisë, ku ai paralajmëron Damaskun “të mos vënë në provë durimin dhe vendosmërinë” e Ankarasë. Zoti Erdogan e bëri të qartë se vendi i tij nuk po bën bllof me paralajmërimet.

Mortaja ra sot në një zonë rurale pranë fshatit Guvecci, vetëm pak minuta pas shpërthimit të luftimeve të ashpra mes forcave qeveritare siriane dhe kryengritësve të opozitës siriane në provincën Idlib.

“Mortaja erdhi nga ana siriane rreth orës 4 të mëngjesit. U mblodhëm dhe thirrëm xhandarmërinë. Ekipi i hetimeve dhe policia erdhën menjëherë. Erdhi edhe një komandant apo gjeneral dhe mblodhën copa predhash”.

Askush nuk u lëndua nga mortaja që ra rreth 50 metra larg kufirit, në territor turk. Një njësi e ushtrisë turke pranë fshatit u përgjigj me një bateri mortajash.

Zyra e guvernatorit lokal njoftoi se mortaja siriane kishte rënë gabimisht në territor turk dhe se mendohet se ishte hedhur nga forcat qeveritare siriane në betejën me kryengritësit.

Tensionet e fundit mes dy vendeve u ndezën të mërkurën kur një predhë siriane ra mbi një shtëpi në kufirin turk, duke lënë të vdekur dy gra dhe tre fëmijë. Incidenti u pasua me kundërpërgjigje të papara nga Turqia.

Parlamenti turk votoi dje për të lejuar operacione ndërkufitare në Siri, duke i acaruar më tej marrëdhëniet me vendin fqinj. Dje Shtetet e Bashkuara komentuan mbi incidentin, duke mbajtur anën e Turqisë. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Josh Earnest dënoi ato që i cilësoi si veprime agresive të sirianëve.

Incidenti i sotëm u shënua në një kohë që të dyja palët dukej se po përpiqeshin për të qetësuar situatën. Ministria e Jashtme turke tha dje se Siria ka tërhequr artilerinë dhe pajisje të tjera ushtarake nga zona kufitare.
XS
SM
MD
LG