Lidhje

Turqi: Publiku mosbesues për angazhimin në Siri


Turqia është angazhuar të mbështesë një goditje të mundshme ushtarake kundër Sirisë. Në territorin e saj ndodhet një bazë ajrore e rëndësishme që përdoret nga Shtetet e Bashkuara dhe ka një forcë ajrore të fuqishme. Por partitë opozitare në vend janë kundër pjesëmarrjes në një operacion ushtarak kundër Sirisë dhe sipas anketave, publiku mbetet thellësisht mosbesues për një angazhim të mundshëm në konflikt.

Qeveria turke ka qenë në vijën e parë të frontit me kërkesat që regjimi i presidentit siriane Bashar al-Assad të mbahet përgjegjës për sulmin me armë kimike, për të cilin akuzohet qeveria siriane.

Sinan Ulgen, një studiues në institutin Carnegie të Evropës me seli në Bruksel, thotë se Turqia do të ishte një aleat i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara në çdo masë që Uashingtoni ndërmerr kundër Damaskut. Por ai gjithashtu paralajmëron se mosmarrëveshjet vazhdojnë.

"Turqia e mbështet me forcë idenë e ndëshkimit të Assadit dhe regjimit të tij për përdorimin e armëve kimike. Ndryshimi është se Turqia do që goditja të jetë shumë më ambicioze, që të çojë në përmbysjes së Assadit nga pushteti”.

Presidenti Barack Obama ka thënë se çdo goditje kundër Sirisë do të ishtë e kufizuar dhe nuk do të synonte përmbysjen e regjimit. Pavarësisht nga këto pikëpamje të ndryshme, Semih Idiz, një analist diplomatik për gazetën turke Taraf, thotë se Ankaraja do të mbështesë një operacion kundër Sirisë të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara. Por ai shton se një mbështetje e tillë mund të jetë e kufizuar.

"Ministri i Jashtëm Ahmet Davutoglu ka thënë se Turqia do të pranonte të merrte pjesë në një koalicion aleatësh. Por ka një pikëpyetje serioze nëse Turqia mund të marrë pjesë në operacione ushtarake kundër Sirisë. Një ide e tillë nuk është aspak popullore mes publikut dhe opozitës në Turqi, e cila thotë se një vendim i tillë duhet të ketë autorizimin e parlamentit dhe një autorizim i tillë nuk ekziston. Dhe shumë analistë besojnë se Turqia nuk do të marrë pjesë ushtarakisht, se do të japë mbështetje logjistike, kryesisht përmes bazave që kanë amerikanët në Turqi”.

E ngritur pranë kufirit me Sirinë, baza ajrore Inçirlik është përdorur nga forcat amerikane prej dekadash. Por edhe autorizimi i përdorimit të hapësirave ajrore dhe bazave për goditje të mundshme amerikane është i rrezikshëm për Turqinë, sipas Kadri Gurselin, analist për gazetën turke Milliyet. Ai thotë se Ankaraja është e shqetësuar se një operacion i kufizuar ushtarak amerikan, lë të hapur shtegun për një hakmarrje nga ana e Sirisë.

"Ka dy lloj hakmarrjesh. Njëra mund të jetë terrorizmi, provë e të cilit ishte sulmi më i rëndë terrorist në historinë modern turke, në Reyhanli në muajin maj. Po ashtu, si teorikisht, ashtu edhe ushtarakisht, Turqia mund të bëhej objekt i goditjes me armë kimike nga Siria”.


Qeveria Turke fajësoi Damaskun për sulmin me makinë bombë në maj që shkatërroi qendrën e qytetit të Reyhanlit, pranë kufirit me Sirinë. Shpërthimi shkaktoi vdekjen e 50 vetëve. Shqetësimet për sulme të mundshme u intensifikuan muajin e kaluar, kur media njoftoi se autoritetet turke kishin ndaluar dy sirianë me sasi të mëdha eksplozivësh, ndërsa ata përpiqeshin të hynin në Turqi nga Siria.

Analisti diplomatik Idiz paralajmëron se çdo sulm amerikan ndaj Sirisë ka gjasa të shkaktojë një reagim të fortë të publikut në Turqi, veçanërisht nëse Ankaraja merr pjesë.

"Publiku turk gjithmonë ka qenë kundër ndërhyrjes perëndimore në vendet islamike, veçanërisht në Lindjen e Mesme. Do të ketë demonstrata në Turqi, policia e ndërhyrjes së shpejtë mund të duhet të angazhohet përsëri. Që tani po shohim kanale të opozitës dhe gazeta që paralajmërojnë për një skenar të tillë, nëse ndodhin goditjet”.

Në qershor, në Turqi ndodhën disa nga protestat më masive kundër qeverisë prej dekadash, që morën shkas nga pakënaqësia me mënyrën e drejtimit të kryeministrit Recep Erdogan. Politika e Ankarasë për mbështetjen e kryengritësve, sipas anketave, është shumë jopopullore, edhe mes atyre që përkrahin qeverinë. Analistët paralajmërojnë se qeveria turke mund ta paguajë shtrenjtë çdo mbështetje që do t’i japë goditjeve të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.
XS
SM
MD
LG