Lidhje

Turqia: plani i OKB-së për Sirinë, pozitiv


Kryeministri i Turqisë tha se miratimi i një plan të ri të Kombeve të Bashkuara për paqen në Siri është një hap pozitiv drejt zgjidhjes së luftës së gjatë dhe të kushtueshme civile përmes diplomacisë.

Kryeministri Ahmet Davutoglu, tha megjithatë se rezoluta e miratuar njëzëri nga Këshilli i Sigurimit të premten vonë nuk ofron mbrojtje për popullin sirian, i cili ka vuajtur së tepërmi gjatë gati pesë viteve të gjakderdhjes, nga "mizoritë e presidentit sirian Bashar al-Assad."

Zoti Davutoglu tha se Turqia do të vazhdojë përpjekjet për arritjen e një tranzicioni politik në Siri në përputhje me Komunikatën e Gjenevës të vitit 2012 për Sirinë. Ajo përpjekje e parë ndërkombëtare për hartimin e një zgjidhjeje të mundshme të krizës politike siriane parashikonte një trup kalimtar qeverisës të formuar me pëlqimin reciprok të të gjitha palëve të përfshira në konflikt.

Kryeministri turk i bëri komentet të shtunën në Stamboll, një ditë pasi Këshilli i Sigurimit votoi në Nju Jork për të mbështetur udhërrëfyesin, të finalizuar në një takim të Grupit Ndërkombëtar prej 20-vendesh. Grupi për Sirinë përfshin Shtetet e Bashkuara dhe aleatët e saj, si dhe Rusinë, vendet arabe dhe të tjera të përfshirë në luftën siriane.

Ndërkohë, presidenti rus Vladimir Putin tha se vendi i tij nuk i ka përdorur të gjitha aftësitë e tij ushtarake në Siri dhe mund të përdorë mjete të tjera ushtarake atje, nëse është e nevojshme.

XS
SM
MD
LG