Lidhje

Shkallëzohen tensionet në Ukrainë


small image for timeline DO NOT USE ON WEBSITE

small image for timeline DO NOT USE ON WEBSITE

Gjatë një takimi me kabinetin e tij, kryeministri i Ukrainës Arseny Yatseniuk akuzoi të mërkurën Rusinë si eksportuese të terrorizmit në vendin e tij.

Komentet e zotit Yatseniuk erdhën pasi tanket që kishin qenë nën kontrollin e forcave të armatosura të Ukrainës lëvizën në qytetin lindor Slaviansk. Njëri prej tankeve mbante flamurin rus.

Kryeministri i Ukrainës Arseny Yatseniuk akuzoi Rusinë për “eksportim terrorizmi” gjatë një takimi të kabinetit të tij sot në Kiev.

“Me sa kuptoj, Federata Ruse ka një produkt të ri për eksport. Përveç eksportimit të naftës dhe gazit, Rusia ka filluar të eksportojë terrorizëm në Ukrainë. Duket sikur ka vetëm një shtet në botë, pra Rusia, që nuk e sheh se grupe të infiltruara ruse po kryejnë akte terroriste në territorin e Ukrainës,” tha zoti Yatseniuk.

Komentet e tij vijnë në prag të bisedimeve katërpalëshe që janë planifikuar të zhvillohen nesër në Gjenevë mbi Ukrainën.

Ndërkohë sot tanke të blinduar, të cilët kishin qenë nën kontrollin e forcave të armatosura të Ukrainës deri më herët gjatë ditës së sotme, lëvizën në rrugët e qytetit lindor Slaviansk dhe njëri prej tyre mbante flamurin rus.

Një ushtar që ruante një nga gjashtë tanket, tani nën kontrollin e separatistëve pro-rusë, i tha agjencisë së lajmeve Reuters se ishte parashutist i divizionit të 25-të të ushtrisë ukrainase nga Dnipropetrovsku.

Një zëdhënës i separatistëve pro-rusë në Slaviansk tha se ukrainasit ishin dorëzuar pas bisedimeve. Nuk ishte e qartë nëse kishte pasur ndonjë kërcënim për përdorim forcë.

Zëvendës kryeministri i Ukrainës Vitaly Yarema i tha gazetarëve në Kiev se ministri i mbrojtjes, Myhailo Koval, po udhëtonte në rajonin Donetsk për të parë situatën nga afër.

Qeveria e Ukrainës filloi dje atë që e quajti një “operacion special” kundër milicisë separatiste në Lindjen rusisht-folëse të vendit, por përveç një uljeje të trupave nga ajrori, veprimet ishin të kufizuara dhe shmangën viktimat.

Pavarësisht nga situata e tensionuar në lindje, zoti Yatseniuk tha se delegacioni ukrainas do të marrë pjesë në bisedimet e nesërme në Gjenevë dhe shprehu shpresë që ato të ndihmojnë për të ulur tensionin.

“Nesër bashku me partnerët tanë perëndimorë jemi të gatshëm të zhvillojmë takimin e parë me Federatën Ruse. Qëllimi i këtij takimi duhet të jetë stabilizimi i situatës në Ukrainë, ndërprerja e veprimtarisë terroriste e mbështetur nga Federata Ruse dhe rinovimi i një dialogu.”

Mbrëmë Presidenti rus Vladimir Putin zhvilloi një bisedë telefonike me kancelaren gjermane Angela Merkel, duke akuzuar Kievin se “po ndjek një trajektore anti-kushtetuese'' duke përdorur ushtrinë kundër rebelëve. Kriza në Ukrainë, tha ai, po e çon vendin drejt një lufte civile.

Një zëdhënës i presidentit amerikan Barak Obama tha se qeveria e Ukrainës ishte e detyruar t’i përgjigjej “provokimeve” në lindje, por Uashingtoni nuk po konsideron të dërgojë furnizime me armë në Kiev.

Shtëpia e Bardhë tha se po konsideron seriozisht shtimin e sanksioneve të vendosura pas aneksimit të Krimesë, por Departamenti i Shtetit tha se një veprim i tillë nuk do të mund të ndërmerret para takimit të Gjenevës.
XS
SM
MD
LG