Lidhje

Situata në Siri mund të ketë ndikim afatgjatë në ekonominë e vendit


Situata në Siri mund të ketë ndikim afatgjatë në ekonominë e vendit
Situata në Siri mund të ketë ndikim afatgjatë në ekonominë e vendit

Në mes të shtypjes brutale të protestuesve anti-qeveritare nga forcat e sigurisë, sirianët janë duke vuajtur jo vetëm nga dhuna, por edhe nga rënie ekonomike që kërcënon të minojë ata që do të drejtojnë vendin në muajt apo vitet e ardhshme. Korrespondentja e Zërit të Amerikës Elizabeth Arrott sjell hollësi.

Aktivistët dhe organizatat humanitare janë përpjekur të sigurojnë ndihma të nevojshme për banorët e qyteteve Homs dhe Hama që janë goditur rëndë nga dhuna dhe po përballen me mungesa ushqimore, ujit të pijshëm, dhe shërbimeve mjekësore.

Por edhe në rajonet ku nuk ka luftime të rënda, situata ekonomike po përkeqësohet nga dita në ditë. Një sirian i cili ka emigruar në Kairo, Zakaraya Daba, thotë se të afërmit e tij në qytetin Aleppo përballen me shumë probleme.

Zoti Daba thotë se nuk ka punë, nuk ka karburant për ngrohje dhe ka mungesa të furnizimit me artikuj ushqimorë. Ai thotë se situata ekonomike po përkeqësohet, por kjo ai nuk u intereson, siç thotë, “banditëve që janë në pushtet”.

Në mbarë Sirinë, çmimet për mallrat bazë janë ngritur. Çmimi i bukës për një kohë të shkurt u dyfishua, ndërsa çmimet e artikujve tjerë ushqimorë janë 50 për qind më të larta se se para fillimit të kryengritjes rreth një vit më parë.

Njëkohësisht, vlera e monedhës siriane ka rënë, ndërsa sanksionet ndërkombëtare kanë ndërprerë transaksionet ekonomike bazë dhe përdorimin e kartave të kreditit.

Ndërkohë që disa vende në komunitetin ndërkombëtar janë duke shqyrtuar mundësinë e ashpërsimit të sanksioneve ndaj Sirisë, Nadim Shehadi i organizatës Chatham House, me seli në Londër, thotë se kjo nuk është përgjigja e duhur.

“Sanksionet janë gjithmonë të vështira për t’u zbatuar dhe, sidomos, fqinjët të cilët kanë marrëdhënie të mira me vendin gjejnë gjithmonë rrugëdalje për të kapërcyer sanksionet. Pra, kjo është normale dhe sanksionet në të vërtetë nuk janë të mjaftueshme”.

Edhe vizitorët në kryeqytetin sirian mund të tejkalojnë kufizimet që sjellin sanksionet në tregun e zi të biznesit, duke përdorur bankierët libanezë të cilët ofrojnë shkëmbime të valutës së huaj. Natyrisht, qeveria nuk do të ketë asnjë problem lidhur me kundërshtimin e sanksioneve në një shkallë më të gjerë.

Këto metoda të tejkalimit të kufizimeve të shkaktuara nga sanksionet kanë qenë të dobishme për disa njerëz në Damask që kanë lidhje minimale me qeverinë. Një banor, i cili kërkoi të mos identifikohej, tha se ai ishte në gjendje të gjente ushqim dhe benzinë.

Ai thotë se energjia elektrike nganjeherë ndërpritet, por ai fajësoi rebelët për prerjen e linjave të furnizimit me karburant dhe bllokimin e rrjetit të energjisë elektrike në kryeqytet.

Qeveria siriane gjithashtu fajëson “ekstremistët e armatosur” për sulmimin e qendrave të furnizimit me energji elektrike. Opozita, nga ana tjetër, fajëson qeverinë, por është e vështirë të verifikohen pretendimet e të secilës palë.

Është gjithashtu e vështirë të parashikohet se çfarë ndikimi do të kenë vështirësitë ekonomike në një të ardhme të afërt, problemet duket se do të përforcojnë pozitat e njerëzve në të dyja anët.

Por analisti i organizatës Chatham House Shehadi thotë se një gjë është e qartë: dëmtimi i infrastrukturës është negativë për të gjithë, përfshirë opozitën.

“Duhet menduar edhe për periudhën kalimtare në të ardhmen pasi çfarëdo dëmi që bëni tani do të duhet të riparohet, kështu që ju po i bëni dëm vetes, sepse regjimit eventualisht do t’i vijë fundi”.

Sipas zotit Shehadi nëse situata aktuale vazhdon, ekonomia dhe dhuna do të përkeqësohen gjithnjë e më shumë.

XS
SM
MD
LG