Lidhje

Skandali i abuzimit të fëmijëve dëmton rëndë Penn State dhe trajnerin e futbollit


Skandali i abuzimit të fëmijëve dëmton rëndë Penn State dhe trajnerin e futbollit
Skandali i abuzimit të fëmijëve dëmton rëndë Penn State dhe trajnerin e futbollit

Arrestimi nën akuzat për abuzim fëmijësh ndaj një prej trajnerëve të futbollit në një universitet prestigjoz në Shtetet e Bashkuara është shndërruar me shpejtësi në një skandal madhor. Presidenti i Universitetit Shtetëror të Pensilvanisë dhe trajneri tepër popullor i kësaj shkolle, Xho Paterno, janë shkarkuar, ndërkohë që priten pasoja të tjera. Autoritetet e këtij universiteti, i njohur si Penn State, reaguan me vendosmëri për të treguar se zyrtarët e lartë duhet të mbajnë përgjegjësi, nëse nuk marrin masa kundër abuzimeve të tilla.

Arrestimi kohët e fundit i ish trajnerit të mbrojtjes për ekipin e futbollit të universitetit Penn State, Gerald Sandusky, u pasua me një sërë ngjarjesh që kanë mbizotëruar artikujt e medias amerikane.

Sandusky akuzohet për abuzimin seksual të 8 djemve gjatë një periudhe 15 vjeçare. Në Polici janë paraqitur edhe disa akuzues të tjerë. Sandusky i mohon akuzat, madje avokati i tij thotë se ai është gjykuar tashmë nga opinioni publik.

Megjithatë, ky arrestim u pasua menjëherë me ndikime të tjera.

Trajneri legjendar i futbollit, 84 vjeçari Xho Paterno, në këtë pozitë për gati 50 vjet dhe me 409 fitore për ekipin e tij, u pushua nga puna bashkë me disa zyrtarë të lartë të universitetit.

Komentatorë të zemëruar sportivë thonë se i gjithë ekipi i futbollit, i cili i sjell universitetit fitime vjetore prej mbi 50 milionë dollarësh, duhet t’i japë fund menjëherë sezonit të këtij viti.

Trajneri Paterno ishte informuar rreth abuzimit të një djali nga trajneri i mbrojtjes Sandusky në vitin 2002. Në atë kohë, Sandusky administronte një organizatë bamirëse për fëmijët jetimë me aktivitete në një qendër praktike të ekipit të futbollit të Penn State. Zoti Paterno njoftoi eprorët e tij, por jo policinë.

Abuzimi i fëmijëve në Shtetet e Bashkuara është krim që bie mbi qeverinë shtetërore dhe atë lokale.

Në Pensilvani, informimi i eprorëve është pikërisht ajo që kërkohet në bazë të ligjit, ndërkohë që në shtete të tjera mos njoftimi i policisë rreth një abuzimi të tillë mund të përbëjë krim.

Ja si shprehet komisioneri i policisë së shtetit të Pensilvanisë, Frank Noonan:

"Nuk bëhet fjalë rreth futbollit apo universitetit. Kemi të bëjmë me një çështje rreth fëmijëve, të cilëve u është rrëmbyer çiltërsia e tyre, në një kulturë që nuk bëri asgjë për ta ndalur atë dhe për të mos u përhapur tek të tjerët”.

Kundër zotit Sandusky ka patur edhe akuza të tjera, të cilat gjithashtu janë injoruar.

Skandale të ngjashme, të shoqëruara me përpjekje për t’i mbuluar ato, kanë prekur edhe shkolla të tjera në Shtetet e Bashkuara, si edhe Kishën Katolike.

Për vite me radhë, mijëra viktima janë ankuar tek autoritetet për abuzim seksual në vitet e fëmijërisë nga priftërinj katolikë.

Jon O’Brien, president i grupit me bazë në Uashington, Katolikët për Zgjedhje, thotë se Kisha Katolike bëri gabime shumë të mëdha në mënyrën se si i trajtoi skandale të tilla.

"Abuzimi seksual i fëmijëve ishte diçka e tmerrshme. Por përpjekjet për mbulimin e çështjes na zhgënjejnë së tepërmi dhe dëmtojnë shumë njerëz brenda dhe jashtë kishës. Kjo ndodh sepse nuk janë bërë përpjekje të mjaftueshme për të identifikuar problemin dhe shkaqet përse ky problem nuk pranohet".

Bordi drejtues i Universitetit Penn State veproi me shpejtësi pas arrestimit për të pushuar nga puna zyrtarë të lartë, si dhe trajnerin Paterno. Bordi po krijon tani një komision të posaçëm për të hetuar mënyrën se si e trajtoi universiteti skandalin Sandusky, që ende nuk ka marrë fund.

XS
SM
MD
LG