Lidhje

SHBA: Skandalet dhe gafat ndikojnë tek fushatat


Disa politikanë mbijetojnë dhe disa jo, pas veprimeve që i turpërojnë ata para publikut

Uragani Isaac që goditi Shtetet e Bashkuara e largoi vëmendjen nga gara presidenciale, ndërsa dy partitë kryesore politike emërojnë zyrtarisht kandidatët e tyre në 10 ditët e ardhshme. Por një stuhi e një lloji tjetër shërben si kujtesë se gabimet dhe skandalet kanë ndikuar shpesh tek fushatat zgjedhore në Shtetet e Bashkuara.

Ndërsa republikanët bëheshin gati për të prezantuar Mitt Romney-n para publikut, një kandidat jo shumë i njohur për senat shkaktoi një debat të ashpër.

Anëtari i Kongresit, Todd Akin u pyet nëse aborti duhet lejuar për viktimat e përdhunimit.

“Nëse është një përdhunim legjitim, trupi i femrës ka mënyra ta bllokojë një gjë të tillë”.

Demokratët, përfshirë Presidentin Barack Obama reaguan me shpejtësi.

“Pikëpamjet e shprehura ishin ofenduese: përdhunimi është përdhunim”.

Zoti Akin kërkoi falje, por dëmi ndërkohë ishte bërë, duke e larguar vëmendjen nga zoti Romney.

Allan J. Lichtman është historian i politikës në Universitetin Amerikan.

“Nuk kishte moment më të keq. Aborti dhe çështjet sociale, janë të fundit për të cilat Mitt Romney do të flasë”.

Deti i Galileut, ku sipas Biblës, Jezu Krishti eci mbi ujë, ishte skena e një ngjarjeje tjetër që bëri bujë. Gjatë një vizite zyrtare në Izrael, kongresmeni republikan Kevin Yoder vendosi të notonte krejt i zhveshur.

“Sigurisht që është gabim dhe unë kërkoj falje”.

Disa gabime u kushtojnë karrierën kandidatëve.

Si Gary Hart për shembull. Ai ishte kadidati kryesor demokrat në zgjedhjet e vitit 1988 por ngjalli dyshime për tradhëti bashkëshortore. Ai i sfidoi gazetarët ta provonin një gjë të till dhe ata gjetën prova, që e nxorrën atë nga gara, përfshirë një fotografi tashmë të famshme.

“Ishte e pabesueshme: me një bjonde të bukur në prehër në një anije të quajtur ‘Monkey Business’, që do të thotë sjellje e pahijshme. Nuk besoj se mund të bësh më shumë se kaq për të shkatërruar veten”.

Politikanë të tjerë u kanë mbijetuar skandaleve. Ish-kryebashkiaku i Uashingtonit Marion Barry ka qenë politikan për 40 vjet. Ai ishte aktiv në lëvizjen e të drejtave civile me Dr. Martin Luther Kingun. Në vitin 1990, ai ishte kapur nga një kamera e FBI-së, duke marrë kokainë dhe u dënua me 6 muaj burg. Megjithatë, ai u rizgjodh për një mandat të katërt si kryetar bashkie dhe tani në moshën 76 vjeçare shërben si anëtar i këshillit të qytetit.

“Kur shikon pas, pyet veten ‘Pse e bëra ?’ Çfarë më shkonte ndër mend? Por nuk mund të ndryshosh të kaluarën. Vetëm mund të ecësh përpara.”

Shembulli më i njohur i një politikani që i ka mbijetuar skandalit është ish-presidenti Bill Clinton.

Pavarësisht nga një marrëdhënie me një praktikante të Shtëpisë së Bardhë, ai mbetet një figurë popullore. Përsëri Allan Lichtman.

“Dhe këtë vit, ai do të jetë një nga oratorët kryesorë në kuvendin e demokratëve dhe konsiderohet një njeri që shton pikë”.

Askush nuk mund ta dijë se kur mund të shpërthejë skandali i ardhshëm, apo nëse do të përfundojë në rrënim politik, apo rilindje politike.
XS
SM
MD
LG