Lidhje

Skandali i normave të interesit pritet të zgjerohet


Një skandal për manipulimin e normave të interesit nga një bankë e madhe britanike kërcënon të prekë banka të tjera të mëdha në mbarë botën. Deri tani, kjo çështje ka rezultuar në pagesën e një gjobë të madhe nga ana e bankës Barclays, ka çuar në nisjen e një sërë hetimeve dhe seancave dëgjimore dhe mund të çojë në ndryshime të ligjeve që rregullojnë firmat financiare. Kronika në vazhdim shpjegon se çfarë ishte duke bërë banka Barclays dhe se si veprimet e saj po dëmtonin njerëzit e zakonshëm.

Barclays është një nga 18 bankat të cilat përcaktojnë një prej normave kryesore të interesit ditor, mbi të cilën bazohen shumë norma të tjera interesi në mbarë botën. 18 bankat e bëjnë këtë duke raportuar përditë parashikimin e tyre për interesin që ato vetë do të paguajnë për huatë që marrin. Rezultati është ajo që quhet shkalla e interesit “LIBOR”ose "Norma Ndërbankare e Londrës". Eksperti i krimeve financiare dhe ish avokati i Departamentit të Drejtësisë, Michael Weinstein thotë se norma e interesit LIBOR ka një ndikim të madh në tregtinë globale.

"Është e drejtë të thuhet se nuk janë miliona, e as miliarda, por janë triliona dollarë që ndikohen nga norma e interesit LIBOR. Pra ndikimi nuk është vetëm i brendshëm për Shtetet e Bashkuara, por është global dhe ndërkombëtar."

Disa nga përpjekjet për të manipuluar normat e interesit ndodhën gjatë krizës financiare, kur investitorët, depozituesit, bankat e tjera, dhe rregullatorët ishin të shqetësuar për fuqinë financiare të bankave.

Banka Barclays pagoi një gjobë prej rreth 450 milionë dollarësh, dhe njëra nga arsyet ishte se u kishte dhënë shifra të pavërteta zyrtarëve të vendosjes së normës, duke thënë se po paguanin një normë më të ulët interesi nga ajo që në fakt po paguanin.
Eksperti për menaxhimin e korporatave i Universitit Pace, John Alan James, thotë se banka Barclays mashtroi zyrtarët sepse se një normë e ulët interesi është një votë besimi për një huamarrës nga huadhënësit.

"Ata u shfaqën në nivele të ulëta për të krijuar përshtypjen se ishin më të fortë nga se janë në të vërtetë."

Në raste të tjera, zyrtarë të bankës Barclays deklaruan se norma e interesit që ata kishin për të paguar ishte më e lartë se shifra e saj reale, në një përpjekje për të fituar para me investimet, që në thelb ishin një bast se norma e interesit LIBOR do të rritej.
Të dyja veprimet dëmtojnë konsumatorët.

Kur manipulimi rriste "Norma Ndërbankare e Londrës" njerëzit detyroheshin padrejtësisht të paguanin interesa më të larta për kreditë e shtëpive, kreditë studentore dhe transaksionet e tjera. Ndërsa ulja padrejtësisht e normës së interesit, pakësonte fitimet që përfitojnë individët nga investimet e tyre në tregje financiare të lidhura me normat e LIBOR-it.

Zoti Weinstein thotë se janë duke u zhvilluar hetime në disa vende dhe se skandali mund të përhapet më gjerë.

"Mendoj se pothuajse të gjitha bankat e mëdha të botës do të goditen prej kësaj në një farë mase."

Ai mendon se qeveritë dhe rregullatorët do të forcojnë rregullat dhe mbikëqyrjen e bankave. Por profesori i financave i Universitetit Hofstra, Anoop Rai, thotë se ligjvënësit dhe rregullatorët duhet të arrijnë një ekuilibër të kujdesshëm, pasi kur rregullat janë të pakta nxitet kryerjea e praktikave të pandershme, por kur rregullat janë të shumta, ngadalësohet tregtia dhe dëmtohet ekonomia.

"Është shumë e vështirë të vendosen rregulla të përkryera. Me kalimin e kohës, tregjet harrojnë, dhe ne e shohim këtë sjellje të përsëritet shumë herë. Problemi është se si të paralajmërohen blerësit që të kenë kujdes."

Megjithatë, John Alan James, i Universitetit Pace, mendon se do të ketë disa ndryshime vërtet konstruktive për shkak të këtij skandali, sepse, siç thotë ai kjo që ka ndodhur është shumë serioze për t’u neglizhuar.
XS
SM
MD
LG