Lidhje

Skandali i përgjimeve dhe ndikimi mbi mediat amerikane

  • Pitër Fedinski

Skandali i përgjimeve dhe ndikimi mbi mediat amerikane

Skandali i përgjimeve dhe ndikimi mbi mediat amerikane

Kompania News Corp me bazë në Shtetet e Bashkuara, është në qendër të një skandali përgjimesh në Britani që po i shkakton pasoja serioze gjigandit të mediave. Këtu në Shtetet e Bashkuara, është shtuar vemendja e mediave ndaj kompanisë dhe presidentit të saj, Rupert Murdoch.

Akuzat se News Corp me bazë në Shtetet e Bashkuara ka shkelur ligjin britanik mund të kenë pasoja ligjore për kompaninë në Shtetet e Bashkuara. Disa senatorë amerikanë dhe Kongresmeni republikan Peter King kanë kërkuar hetime për të përcaktuar nëse kompania ka shkelur ligjet amerikane. Prokurori i Përgjithshëm, Eric Holder, Komisioni Letrave me Vlerë dhe FBI-ja janë përgjigjur me hetime paraprake.

Jay Fahy, ish prokuror federal i shpjegon kështu ligjet përkatëse.

"Nga ana penale, kjo hyn në Ligjin për Praktikat e Jashtme të Korruptimit dhe ndoshta në ligjet për shkelje të privacisë apo ato që lidhen me ndërhyrje në tabulatet telefonike. Nuk përjashtohet ryshfeti, nëse kompanive telefonike u janë dhënë para."

News Corp akuzohet se ka korruptuar policë britanikë për të gjetur informacione për shkrimet që botonte në tabloidin News of the World. Ligji për Praktikat e Jashtme të Korruptimit përfshin edhe kompanitë amerikane që veprojnë jashtë vendit. Andi Coulson, ish redaktor lajmesh i tabloidit, dhe ish zëdhënës i kryeministrit britanik David Cameron, është arrestuar lidhur me rastin në fjalë, i cili përfshin jo vetëm përgjime telefonash në Britani por edhe të viktimave të 11 shtatorit në Shtetet e Bashkuara.

News Corp ka patur miliarda dollarë humbje për shkak të skandalit. Kompania u detyrua të heqë dorë nga blerja e një pjese të kompanisë British Sky Broadcasting, transmetuesi më i madh satelitor në Britani. Gazetari Felix Gillette, thotë se skandali ka shkaktuar rënie të madhe në aksionet e kompanisë.

"Ata kanë humbur më shumë se 5 miliard dollarë në vlerë aksionesh dhe aksionerët janë të shqetësuar për të ardhmen e kompanisë. "

Presidenti i News Corp, Rupert Murdoch, i lindur në Australi, ka marrë shtetësinë amerikane për të qenë në gjedje të zotërojë media edhe në Shtetet e Bashkuara. Pasuritë e tij përfshijnë një studio në Hollywood dhe rrjetin televiziv Fox, me ndikim në qarqet konservatore amerikane.

Murdoch është kritikuar se ka privuar publikun nga larmia e pikëpamjeve të nevojshme për të marrë vendime të mirinformuara në një shoqëri demokratike. Mes kritikëve është eksperti i mediave, Dean Starkman.

"Ky skandal në Britani mund ta ndryshojë krejt peizazhin e medias si këtu në Shtetet e Bashkuara edhe në botë."

Starkman thotë se skandali i përgjimeve mund t’u japë mediave më të vogla një shans për të sfiduar pushtetin që ka fituar News Corp, e cila ka këtu 27 liçenca transmetimi të lëshuara nga Komisioni Federal i Komunikacioneve. Jay Fahy thotë se Komisioni mund të refuzojë zgjatjen e këtyre liçencave.

"Nëse Komisioni mban qëndrim të ashpër dhe vërtetohet se Murdochu, djali i tij, ose njerëz në nivele të larta kanë patur dijeni, kjo mund t’i bëjë ata t’i humbasin licencat, çka mund të shënojë edhe fundin e perandorisë së tij."

Fox News e përmendur pak skandalin dhe nuk iu përgjigj kërkesës së Zërit të Amerikës për një intervistë. Rupert Murdoch i tha gazetës Wall Street Journal, që është pronë e tij, se po krijon një komision të pavarur për të hetuar akuzat që kanë tronditur kompaninë e tij.

XS
SM
MD
LG