Lidhje

Skandali i zyrtarit Bo në Kinë

  • Stephanie Ho

Një artikull në faqen e parë të gazetës Popullore të së hënës thotë: "Thashethemet në Internet dëm për njerëzit dhe shoqërinë tonë." Gazeta në gjuhën angleze China Daily boton një artikull të agjencisë Xinhua ku citohen ekspertë që bëjnë thirrje për sanksione të ashpra penale kundër atyre që përhapin thashetheme në Internet.

Asnjë nga artikujt nuk përmend konkretisht rastin e politikanit të diskredituar kohët e fundit Bo Xilai.

Por artikulli i Xinhuasë thotë se autoritetet arrestuan gjashtë persona për përhapjen e një thashethemi muajin e kaluar në lidhje me një grusht shteti në Pekin, i cili ishte mbështetur gjoja nga përkrahësist e zotit Bo në qeverinë qendrore.

Karizmatiku Bo është ish- sekretari i partisë në qytetin e madh jugperëndimor të Chongqing-ut.

Njoftimi i javës së kaluar se ai po shkarkohej nga posti i tij si një nga udhëheqësit më të lartë në partinë komuniste kineze u shoqërua me një njoftim se gruaja e tij, Gu Kailai, po hetohet në lidhje me vrasjen e dyshuar të biznesmenit britanik Neil Heywood në nëntor.

Njoftimi vuri gjithashtu në dukje se Heywood kishte patur lidhje miqësore me djalin e çiftit, Bo Guagua, i cili është duke studiuar në Harvard.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Liu Weimin nuk mund të thotë nëse qeveria kineze ka qenë në kontakt me qeverinë amerikane në lidhje me studentin Bo Guagua.

Ai thotë vetëm se "nuk është në dijeni të detajeve."

I pyetur nëse ka pasur ndonjë përparim në hetimin e vdekjes së zotit Heywood, Liu tha vetëm se çështja është duke u trajtuar nga organet gjyqësore në bazë të ligjit dhe në kohën e duhur.

Jeanette Barbieri, ndihmës profesore e shkencave politike në Universitetin Hollins në shtetin amerikan të Virxhinias, thotë se qeveria kineze duket se ka vendosur se një veprim i shpejtë është mënyra më e mirë për të kontrolluar dëmtimin nga skandali.

"Mendoj se partia e pranon se një incident si ky mund të bëjë që njerëzit e thjeshtë në Kinë të humbasin besimin tek partia komuniste. Ata duan të bëjnë kontrollin e dëmit, duan të minimizojnë përçarjen që mund të shkaktojë ky lloj përfaqësimi i dukshëm dhe i qartë i mosmarrëveshjeve brenda partisë. "

Barbieri thotë se Pekini dëshiron që çështja të zgjidhet kryesisht para një konference të partisë këtë vit, ku do të analizohet tranzicioni i të gjithë bordit udhëheqës të partisë.

Një artikull në faqen e parë të gazettes Chongqing Daily, në qytetin ku Bo ishte zyrtar i lartë, thotë se hetimi mbi sjelljen e tij është diçka pozitive për partinë dhe vendin. Aty thuhet se gjëja më e rëndësishme tani është që zyrtarët të ndjekin disiplinën e partisë dhe të ruajnë stabilitetin social.

XS
SM
MD
LG