Lidhje

Historia e ish skllevërve në SHBA


Muaji shkurt, në Shtetet e Bashkuara, është muaji i Historisë së afrikano-amerikanëve, gjatë të cilit përkujtohen njerëz dhe shënohen ngjarje që ndikuan në jetën e këtij komuniteti. Një prej atyre ngjarjeve ishte Deklarata e Emancipimit, e nënshkruar nga presidenti Abraham Lincoln 150 vjet më parë, e cila nisi procesin e lirimit të rreth katër milionë skllevërve. Më pas, amendamenti i 13-të i Kushtetutës e bëri të paligjshme skllavërinë në të gjitha Shtetet e Bashkuara.

Varrezat Kombëtare të Arlingtonit ndodhen jo shumë larg nga Uashingtoni. Para se të bëheshin varrezat ushtarake më prestigjioze të SHBA-së, aty kishte një komunitet të gjerë skllevërish, dhe më pas ish skllevërish.

Për Craig Syphax këto shtëpi të restauruara të skllevërve në muzeun e Arlingtonit kanë domethënie të veçantë. Ai është duke punuar mbi historinë e familjes së tij.

"Historia e familjes Syphax është frymëzuese. Të tregon se, pavarësisht se sa poshtë mendon se ke rënë, përsëri mund të marrësh veten dhe të arrish maksimumin e potencialit tënd."

Craig ka shpenzuar 15 vjet duke studiuar prejardhjen e tij. Ai zbuloi se familja Syphax ishte një familje e rëndësishme skllevërish të Arlingtonit dhe se Charles ishte në pronësi të presidentit të parë të vendit, Xhorxh Uashington. Ai jetoi në shtëpinë e Uashingtonit në Mount Vernon dhe ishte një nga 57 skllevërit të zhvendosur në Shtëpinë e Arlingtonit, së bashku me nipin e adoptuar të Uashingtonit.

"Sa herë që hulumtoj disa aspekte të caktuara të historisë së familjes Syphax, gjej gjëra emocionuese që ngjallin interesin tim për të vazhduar kërkimet."

Në vitin 1863, mijëra ish skllevër të sapo liruar erdhën në Uashington. Për këtë arsye qeveria caktoi një pjesë toke në Arlington, të Virxhinias, për të krijuar fshatin Freedman, ku banonin ish skllevërit. Matthew Penrod është oficer i Shërbimit të Parqeve.

Ai thotë se dhjetëra mijëra ish skllevër jetuan në fshatin Freedman për gati 40 vjet, në rreth 100 shtëpi prej druri. Komuniteti kishte shkolla, kisha, spitale dhe një jetimore.

"Ishte një vend ku njerëzit mund të gjenin punë. Në fakt, shumë prej burrave dhe grave shpesh punësoheshin me paga të mira nga ushtria. Ishte menduar të shërbente si një vend tranzitor për njerëzit, drejt jetës si njerëz të lirë."

Craig Syphax thotë se Charles, paraardhësi i tij, u bë udhëheqës në fshatin Freedman.

"Anëtarët e familjes Syphax u bënë njerëz që mund të lexonin dhe të shkruanin. Dhe ata u mësonin të tjerëve lexim dhe shkrim pa pagesë."

Craig Syphax është duke punuar për krijimin e një dokumentari rreth familjes së tij dhe rreth një muzeu të ri historik pranë varrezave të Arlingtonit. Talmadge Williams është drejtues i këtij projekti.

"Historia që nuk studiohet mund të bëhet histori që përsëritet, dhe ne nuk duam që historia të përsëritet. Nuk kemi nevojë për skllavëri sërish."

Disa ish skllevër u varrosën në varrezat e Arlingtonit. Shumë njerëz thonë se ata duhet pjesë e historisë po aq sa ushtarët e rënë të varrosur këtu.

XS
SM
MD
LG