Lidhje

Sllovaki: Partia SMER fiton zgjedhjet parlamentare


Ish kryeministri i Sllovakisë, Robert Fico do të rikthehet në detyrë pasi partia e tij e majtë, Smer fitoi ndjeshëm ndaj rivalëve të saj në zgjedhjet e djeshme parlamentare.

Partia social demokrate Smer fitoi më shumë se 44 për qind të votave, ose 83 vende në parlamentin me 150 vende. Partia konservatore SDKU, e kryesuar nga kryeministrja e tanishme, Iveta Radicova, fitoi vetëm 6 për qind të votave.

Kjo fitore i jep zotit Fico mbështetje të mjaftueshme për të qeverisur i vetëm, për herë të parë që kur Sllovakia fitoi pavarësinë në vitin 1993.

Zoti Fico, kryeministër i vendit në periudhën 2006-2010, bëri fushatë duke premtuar se do të mbajë të paprekur sistemin e ndihmave shoqërore, por do të ngrejë taksat për korporatat dhe të pasurit.

Zgjedhjet e djeshme u zhvilluan dy vjet para afatit. Koalicioni në pushtet me 4 parti ra në muajin tetor kur një prej partive më të vogla nuk pranoi të mbështeste shtimin e fondeve të paketës së ndihmave emergjente për eurozonën.

XS
SM
MD
LG