Lidhje

Sllovakia shtyn votimin për fondin e ndihmës financiare për Evropën

  • Lisa Bryant

11 tetor 2011

11 tetor 2011

Parlamenti i Sllovakisë ka shtyrë votimin e rendësishëm për zgjerimin e fondit të ndihmës financiare për Evropën çfarë ka rrezikuar edhe rënien e qeverisë së atij vendi. Përpjekja vjen ndërkohë që kriza e borxheve vazhdon të përhapet në Evropë, me dhjetëra mijëra njerëz që protestojnë masat shtrenguese ekonomike në Francë.

E gjitha varet nga shteti i vogël i Sllovakisë për të pranuar apo hedhur poshtë zgjerimin e fondit të Bashkimit Evropian për të ndihmuar ekonomitë e trazuara si Greqia dhe ndikuar ndaj borxheve në rritje si dhe krizës bankare që kërcënon të përhapet përtej kufinjëve evropianë.

Udhëheqësit e Bashkimit Evropian e patën miratuar masën në korrik. Por ajo duhet të ratifikohet nga parlamentet e të 17 vendeve që përdorin monedhën euro, që masa të vijë në fuqi. Deri tani, 16 vende e kanë miratuar.

Zakonisht, sllovakët e mbështesin bllokun. Por Sllovakia është një prej vendeve më të varfëra të Evropës, dhe shumë prej qytetarëve sllovak janë të pakënaqur që të paguajnë për shpenzimet pa kriter të Greqisë, siç shprehen ata.

Ndërkohë, kryeministrja e Sllovakisë Iveta Radicova argumenton se vetë mbijetesa e eurozonës është në rrezik. Ajo po ashtu e ka lidhur votën në parlament me mbijetesën e qeverisë së saj.

Por Sllovakia nuk është i vetmi vend që po murmurin rreth fondit të ndihmës ekonomike. Shumë njerëz në Holandë dhe Gjermani janë kundër masës. Ndërsa analistët thonë se Evropa duhet të ndërmarrë masa më të thella për të trajtuar krizën e borxheve që po përhapet.

Ndërkohë, masat e ashpra ekonomike të zbatuara nga shumë vende evropiane kanë nxitur greva dhe protesta. Dhjetëra mijëra francezë pushtuan rrugët e Parisit dhe qytete të tjera të Francës të martën, duke demostruar kundër shkurtimeve qeveritare. Mësuesi francez 59 vjeçar Jean Carroy ju bashkua marshimit në kryeqytet.

Mësuesi Carroy beson se duhet të ketë mënyra të tjera për të zgjidhur krizën e borxheve në vend të shkurtimit të shpenzimeve qeveritare. Ai thotë se sipas buxhetit qeveritar, ka plane për të shkurtuar mijëra mësues në mbarë vendin. Punonjësja sociale Melanie Zede po ashtu ishte bashkuar me demostruesit sëbashku me vajzën e saj nëntë vjeçare, Ines.

Melanie thotë se ajo shikon që njerëzit kanë gjithnjë e më pak para dhe mënyra për të mbijetuar. Ajo fajëson krizën e eurozonës dhe zgjedhjet e gabuara nga qeveria konservatore e Presidentit Nikola Sarkozi.

Shkurtimet qeveritare ndodhin ndërkohë që zoti Sarkozi përballet me një rizgjedhje të vështirë vitin që vjen. Popullariteti i tij ka rënë në nivele të ulta rekord për muaj të tërë.

XS
SM
MD
LG