Lidhje

Telefonat inteligjentë si mjet diagnostikimi të malaries

  • GEORGE PUTIC

Mjekët që luftojnë malarjen, një ndër sëmundjet më vdekjeprurëse në planet, mund të kenë së shpejti në dispozicion një mjet ndihmës – një aplikacion në celularët e tyre inteligjentë. Shkencëtarët kanë zbuluar një mënyrë që përdor kamerën e celularit për gjurmimin në gjakun e pacientëve të mikroorganizmave që shkaktojnë këtë sëmundje.

Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, rreth 600 mijë njerëz vdiqën nga malaria në vitin 2013, një shifër që e klasifikon këtë sëmundje të përcjellë nga mushkonjat si një ndër më vdekjeprurëset në botë.

Aspekti më i hidhur i kësaj katastrofe është se prek më së shumti fëmijët e vegjël.

Zbulimi i hershëm i sëmundjes është i rëndësishëm për një trajtim të suksesshëm. Por, duke qenë se simptomat fillestare i ngjasojnë gripit të zakonshëm, një mikrobiologu i duhet të ekzaminojë një pikë gjaku të pacientit me mikroskop për të bërë diagnostikimin e duhur.

Shkencëtarët në Britani kanë prodhuar një pajisje, të quajtur Xrapid, e cila i bashkohet celularit duke e shndërruar atë në një mikroskop të fuqishëm. Ndërsa një aplikacion, i bazuar në teknologjinë e identifikimit të fytyrës, identifikon me shpejtësi parazitët protozoarë në njollën e gjakut.

Jean Viry-Babel është drejtor i kompanisë IanXen, e cila prodhoi aplikacionin. Ai thotë se kushton shumë pak dhe funksionon menjëherë.

“Marrim pra një pamje me rezolucion të lartë të një kampioni gjaku. Ndajmë rruazat e kuqe të gjakut nga pjesa tjetër, nga rruazat e bardha dhe pllakëzat e gjakut, dhe fillojmë të shqyrtojmë individualisht secilën prej rruazave të kuqe.”

Viry-Babel thotë se aplikacioni ka çmim të ulët, është i lehtë në përdorim dhe ofron besueshmëri në masën 98%. E vetmja paisje shtesë që kërkohet është një xham i zakonshëm laboratorik.

“Ka vetëm një buton, që emërtohet ‘Diagnostiko’. Pra, thjesht e pozicionon mbi xhamin dhe gjakun e përtharë, dhe shtyp butonin që jep diagnozën ‘po’ ose ‘jo’.”

Shkencëtarët thonë se paisja do të fillojë të testohet në terren gjatë muajve janar dhe shkurt në Tanzani, Benin dhe Indonezi, ndërsa përdorimi në shkallë të gjerë mendohet të fillojë nga fundi i muajit mars.

Ata gjithashtu synojnë të zgjerojnë përshtatshmërinë e paisjes së re, duke e mësuar të njohë edhe sëmundje të tjera, si p.sh. turbekulozin etj.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG