Lidhje

Snowden shkon në Moskë nga Hong Kongu


Ish punonjësi i agjencive amerikane të zbulimit, që kërkohet nga Shtetet e Bashkuara për nxjerrjen e informacionit sekret të programit të përgjimeve, shkoi sot në Moskë nga Hong Kongu. Sipas njoftimeve, ai ka kërkuar strehim politik në Ekuador.

Ministri i jashtëm i Ekuadorit Ricardo Patino, publikoi sot një mesazh në Twitter, ku thuhej se qeveria e tij ka marrë një kërkesë për strehim politik nga Edward Snowden, por nuk dha hollësi. Ai kishte thënë në të kaluarën që do të qëndronte në Hong Kong për të luftuar ekstradimin. Por pasi Departamenti i Drejtësisë bëri të ditur se kishte ngritur akuza spiunazhi ndaj tij, ai u largua nga Hong Kongu.

Grupi WiliLeaks njoftoi se këshilltarët e vet ligjorë dhe diplomatë të paidentifikuar e shoqëruan Snowdenin, ndërsa ai shkoi sot në Moskë nga Hong Kong, ku qëndronte i fshehur dhe se ekskorta e tyre do të qëndrojë me të, ndërsa udhëton për në Ekuador, një nga vendet e Ameriksë Latine më tepër kritike ndaj Shteteve të Bashkuara. Në Ekuador është strehuar edhe themeluesi i WikiLeaks, Julian Assange, i cili po ashtu ndeshet me akuzat e Washingtonit, se ka publikuar dokumente sekrete diplomatike të Shteteteve të Bashkuara në vitin 2010.

Agjencia ruse e lajmeve ITAR-Tass, citonte sot burime të linjës ajrore Aeroflot që thonin se nga Moska, Edward Snowden do të vazhdojë fluturimin për në Kubë të hënën dhe më pas në kryeqytetin e Venezuelës, Karakas. Dje, Shtëpia e Bardhë njoftoi se Uashingtoni i kishte kërkuar Hong Kongut ta ekstradonte për në Shtetet e Bashkuara zotin Snowden. Ai thotë se e bëri programin publik për t’u treguar qytetarëve një program të gjerë përgjimi. Autoritetet thonë se si rezultat i përgjimeve janë shmangur të paktën 50 sulme terroriste në mbarë botë që nga 11 shtatori i vitit 2001.
XS
SM
MD
LG