Lidhje

Uashington, Indinjatë për largimin e Snowden nga Hong Kongu


Ambasada e Ekuadorit në Moskë
Ambasada e Ekuadorit në Moskë
Zyrtarët dhe ligjvënësit amerikanë po reagojnë me tronditje dhe indinjatë ndaj njoftimeve se Edwards Snowden, i akuzuar nga autoritetet federale amerikane për spiunazh, ka mbërritur në Moskë, pasi u lejua të largohej nga Hong Kongu. Njoftimet nga Moska bëjnë të ditur se Snowden ka në plan të shkojë në Kubë dhe më pas mund të vendoset në Ekuador.

Në fillim të muajit, Snowden nxori informata për një program sekret të agjencive të zbulimit që grumbullonte të dhëna nga tabulatet telefonike dhe përdorimi i internetit. Ai u arratis për në Hong Kong.

Administrata Obama ka kërkuar esktradimin e tij për në Shtetet e Bashkuara ku do të ndiqet penalisht. Njoftohet se autoritetet në Hong Kong hodhën poshtë kërkesën e autoriteteve amerikane dhe e lejuan Snowdenin të niset për në Moskë.

Ligjvënësi Mike Rodgers është kryetar i Komisionit për Shërbimet e Zbulimit në Dhomën e Përfaqësuesve. Ai foli në emisionin Meet the Press të rrjetit NBC.

"Me sa duket, sot ai do të niset me një avion tjetër nga Moska, ndoshta për në Kubë. E dimë që ka linjë ajrore mes Moskës dhe Kubës. Këto vende mbajnë qëndrim armiqësor kundër Shteteve të Bashkuara”.

Zoti Rogers thotë se administrata Obama duhet të përdorë çdo rrugë të ligjshme për ta sjellë Snowdenin në Shtetet e Bashkuara. Në emisionin Face the Nation të rrjetit CBS, Senatorja demokrate Dianne Feinstein është e një mendjeje.

"Dua që të kapet e të sillet për t’u nxjerrë para drejtësisë”.

Zonja Feinstein tha se shqetësohet se Snowden mund të nxjerrë sekrete të tjera nëse nuk kapet. Zyrtarët amerikanë thonë se është bërë një dëm i madh. Drejtori i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare, Gjenerali Keith Alexander, bëri komente në emisionin This Week të rrjetit ABC.

"Sekretet që ka nxjerrë Snowden kanë shkaktuar dëme të pariparueshme për vendin dhe aleatët”.

Veprimet e Edward Snowden nuk kanë të bëjnë aspak me një akt heroik, siç pretendon ai, tha Senatori republikan Lindsey Graham, i cili foli në emisionin Fox News Sunday.

"Rruga e lirisë nuk kalon nga Kina në Rusi e më pas në Kubë. Shpresoj ta ndjekim deri në fund të botës”.

Edward Snowden tha për gazetarët se e kishte shtyrë ndërgjegja të tregonte përmasat e aktivitetit qeveritar për të grumbulluar të dhëna mbi komunikimet e qytetarëve amerikanë.
XS
SM
MD
LG