Lidhje

Jeta e Snowdenit në Rusi

  • Andre Nesnera

Ish punonjësi i Agjencisë së Sigurisë Kombëtare të Shtetve të Bashkuara, NSA, Edward Snowden banon tani në Rusi, pasi Moska i dha atij strehim të përkohshëm për 12 muaj. Ai kërkohet nga Shtetet e Bashkuara nën akuzat për veprimtari spiunazhi. Cila është e ardhmja e këtij personi të kërkuar?

Edward Snowden akuzohet për nxjerrje informacionesh sekrete të disa programeve të përgjimit të Agjncisë së Sigurisë Kombëtare.

Edward Snowden punonte në ishujt Hawaii, prej andej shkoi në Hong Kong dhe më pas, nga fundi i qershorit, përfundoi në Rusi, ku për më shumë se një muaj qëndroi në zonën trazite të një aeroporti të Moskës para se t’i jepej strehim politik për një vit.
Eksperti i sigurisë kombëtare, David Barrett jep mësim në Universitetin Villanova.

“Një prej gjërave që presidenti rus, Vladimir Putin tha kur foli rreth mundësisë së strehimit të Edward Snowdenit në Rusi ishte që ai duhej të mos fliste rreth hollësive të programeve të zbulimit amerikan. Nuk besoj se për Snowden-in do të jetë një jetë shumë e gëzuar që të jetojë në kushte të tilla që e pengojnë të flasë me gazetarët dhe grupe të tjera rreth Agjencisë amerikane të Sigurisë Kombëtare, NSA”.

Peter Savodnik është ekspert për amerikanët që kërkojnë strehim politik në Rusi dhe autor i librit ‘Dezertimi i shkurtër i Lee Harvey Oswald-it në Bashkimin Sovjetik’. Ai thotë se autoritetet ruse janë të afta të krijojnë atë që ai e quan “një lloj pakënaqësie e papërcaktuar”.

“Rusët janë specialistë të një forme të tillë, dikush të troket në derë dhe kjo duket si diçka shumë e përçmuar. Nuk ke ç’të bësh, nuk ke ku të shkosh. Je në mëshirë të Kremlinit dhe ky i fundit e di fare mirë se me cilët njerëz ka të bëjë”.

Eksperti Savodnik thotë se rusët të bëjnë të mendosh për një farë kohe se ti je i mirëpritur.

“Dhe pak më vonë, natyrisht ti e kupton se nuk je i mirëpritur dhe fillon të zemërohesh, madje edhe të çmëndesh, diçka që i ndodhi Oswaldit dhe diçka që i ndodh çdo amerikani që ka shkuar në Rusi për të kërkuar strehim politik. Të gjithë kanë pasur të njëjtën përvojë. Nuk mendoj se ka pasur një amerikan të vetëm që shkoi në Rusi që prej Luftës së Dytë Botërore dhe gjeti atje një mjedis për të bërë jetë të lumtur”.

Zoti Savodnik thotë se lidhur me Edward Snowden-in, autoritetet ruse duan që ai të qëndrojë sa më larg medias dhe në skenarin më të keq ata do ta dërgonin Snowdenin të jetonte në një rajon të largët të Rusisë.

“Rusët do ta fusin atë në një ndërtesë apartamentesh të viteve 60-të ose në një lagje të kohës së Brezhnjevit. Ai do të pastrojë dyshemetë e ndonjë shkolle apo do të punojë, sipas autoriteteve shtetërore, në ndonjë fabrikë të humbur e të vjetër”.

Kudo që të përfundojë, thotë Matthew Rojansky, drejtor i Institutit Kennan në Qendrën Wilson, një gjë është e sigurtë: askush nuk do t’i besojë Edward Snowden-it.

“Sepse kuptohet që ky është një person që ka tradhëtuar vendin e vet dhe shumica e njerzve, përfshirë edhe rusët, nuk kanë respekt për një person të tillë. Ky ka qënë fati i çdo perëndimori, që ka spiunuar dhe ka dezertuar dhe më pas ka shkuar në Rusi. Ata përfundojnë në izolim, ndoshta jetojnë rehat, nëse qëndrojnë në atë vend për një kohë të gjatë, por me siguri që nuk jetojnë normalisht si pjesë e shoqërisë së tyre”.

Zoti Rojansky thotë se çështja Snowden në mënyrë të pashmangshme do të ndryshojë marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës.

“Çështja Snowden do të mbetet në listën e zyrtarëve të lartë amerikanë që negociojnë për vite me radhë. Ajo mund të mos jetë në krye të listës, por do të ketë shumë përparësi. Dhe në një moment të caktuar, Amerika do të jetë në gjendje të bëjë një ofertë të mjaftueshme për Rusinë. Rrethanat do të jenë të përshtatshme, vemendja e mediave do të jetë venitur dhe ndoshta Snowden do të transferohet në një vend të tretë. Ai do të kalojë një farë kohe në atë vend dhe pa pritur ai do të përfundojë në një gjykatë në Honolulu ose diku gjetkë në Amerikë”.

Analistët thonë se padyshim që Snowden do të bënte një jetë më mirë diku gjetkë, por cili vend është “diku gjetkë” askush nuk e di.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG