Lidhje

Snowden tërhiqet nga kërkesa për azil në Rusi


Një zyrtar rus thotë se ish-kontraktori në arrati i Agjencisë Kombëtare amerikane të Zbulimit, Edward Snowden ka hequr dora nga kërkesa për strehim politik në Rusi, megithëse sipas njoftimeve të shtypit, ai po kërkon strehim politik në 19 vende të tjera.

Një zëdhënës i Presidentit Vladimir Putin thotë se Snowden ndryshoi mendje pasi presidenti rus tha dje se ai mund të qëndronte në vend vetëm nëse nuk nxirrte më informacione sekrete të zbulimit amerikan.

WikiLeaks që e ka mbështetur Snowden, thotë se ka paraqitur kërkesa për azil politik në 19 vende të tjera në emër të tij, përfshirë Kinën, Indinë, Brazilin dhe disa vende evropiane, përveç kërkesave të mëparshme për strehim drejtuar Ekuadorit dhe Islandës.

Snowden besohet të jetë ende e fshehur në një aeroport në Moskë, ku ai iku tetë ditë më parë nga Hong Kongu, pas zbulimit të operacioneve sekrete amerikane të përgjimit.

30-vjeçari, i cili tani përballet me akuza për spiunazh në SHBA, theu heshtjen e tij një javore të hënën, duke akuzuar administratën Obama se po u bën presion vendeve ku ai është duke kërkuar mbrojtje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG