Lidhje

Çështja Snowden, SHBA kritikon Rusinë


Edward Snowden, ish kontraktori i zbulimit amerikan që ndodhet në arrati, u largua dje nga aeroporti i Moskës për t'u strehuar në një vend të fshehtë në Rusi, pasi autoritetet ruse i dhanë azil të përkohshëm. Shtetet e Bashkuara e kanë kritikuar vendimin e qeverisë ruse, por dhënia e azilit është mirëpritur nga disa aktivistë të drejtave të njeriut.

Rusia i ka dhënë azil për një vit, Snowdenit, ish-kontraktorit të qeverisë amerikane, duke hedhur poshtë një kërkesë të Shteteve të Bashkuara për ta riatdhesuar atë, në mënyrë që ai të merret në pyetje lidhur me akuzat për nxjerrje të informacioneve sekrete.
Dje, administrata Obama shprehu zhgënjim për vendimin e Rusisë. Zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë Jay Carney përsëriti se Snowden duhet të deportohet në Shtetet e Bashkuara për t'u përballur me akuzat.

Jay Carney, zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë:

"Zoti Snowden nuk është thjesht një denoncues. Ai është akuzuar për nxjerrje sekretesh dhe ndaj tij janë ngritur tre akuza. Ai duhet të kthehet sa më shpejt në Shtetet e Bashkuara, ku do t'i akordohet procesi i duhur dhe mbrojtje ligjore."

Vendimi i Rusisë mund të tensionojë marrëdhëniet tashmë të brishta midis dy vendeve.

Por i ati Snowdenit, Lon Snowden, e vlerësoi vendimin e Moskës dhe e falënderoi presidentin Vladimir Putin. Në një intervistë dje me televizionin rus, ai e këshilloi të birin të mos nxjerrë informacione të tjera.

LON Snowden, i ati i EDWARD Snowden:

"Unë do të doja që ai thjesht të heshtë dhe të kujdeset për shëndetin. E vërteta po del dhe sa më shumë që njerëzit mësojnë, aq më shumë do të shqetësohen ata dhe do të kuptojnë se janë keqinformuar," tha zoti Lon Snowden.

Disa aktivistë të të drejtave të njeriut e kanë mirëpritur azilin për Snowdenin, por Lyudmila Aleksejeva, aktiviste veterane për të drejtat e njeriut në Rusi, thotë se synimi i Snowdenit për lirinë e informacionit e ka sjellë atë në një vend që ka pak respekt për liritë.

Lyudmila Aleksejeva, Grupi i Helsinkit në Moskë:

"Nuk kemi të bëjmë me një ironi të fatit por me një tragjedi për të. Sigurisht, ai e ka patur të vështirë këtu. Mund të përfytyrohet se, duke qëndruar në aeroport, ai duhet të jetë bezdisur shumë nga Shërbimi i Sigurimit rus," tha zonja Aleksejeva.

Dy muaj më parë, ish-kontraktori 30-vjeçar nxorri informacione mbi programet sekrete të përgjimit të Agjencisë së Sigurimit Kombëtar. Ato përfshinin grumbullimin e tabulateve telefonike dhe të mesazheve në internet, programe që qeveria thotë se i shërbejnë parandalimit të sulmeve terroriste.
XS
SM
MD
LG