Lidhje

Snowden nuk del dot nga aeroporti rus


Edward Snowdeni, ish-kontraktori i amerikan i zbulimit, edhe pse fillimisht u tha se ju dhanë dokumentet e nevojshme për daljen nga zona e tranzitit të aeroportit të Moskës dhe për të hyrë në qytet, mbeti sërish i bllokuar.

Ai do të vazhdojë të qëndrojë tani për tani në aeroport, ngaqë doli një pengesë për kërkesën e tij për të marrë strehim në Rusi. Shumë agjenci lajmesh në Rusi njoftuan se Snowdenit ju dhanë dokumentet, prandaj ai do të dilte në Moskë, në pritje të shqyrtimit të kërkesës së tij për azil.

Por pas një takimi sot me Snowdenin, avokati i tij rus, Anatoli Kucherena, tha se klienti i tij nuk i ka akoma dokumentet e nevojshme nga autoritetet ruse, prandaj ai do të vazhdjë të jetojë në aeroport.

Snowdeni muajin e kaluar bëri të njohura për publikun hollësi të programit sekret të survejimit të Agjencisë së Sigurimit Kombëtar. Pasi u largua nga Hong Kongu, Snowden mbeti i bllokuar në aeroportin e Moskës për një muaj, prej nga ku kërkoi strehim politik në disa vende, për të shmangur përballjen me akuzat për spiunazh në Shtetet e Bashkuara.

Presidenti rus Vladimir Putin e refuzoi një kërkesë të Presidentit Obama për ta dorëzuar Snowdenin, që të përballet me gjyqin në Shtetet e Bashkuara. Tre qeveri të majta të Amerikës Latine, Venezuela, Bolivia dhe Nikaragua, i kanë ofruar strehim Snowdenit. Por, pasi Shtetet e Bashkuara ka anuluan pasaportën, ai nuk pati mundësi të largohet nga aeroporti i Moskës.
XS
SM
MD
LG