Lidhje

Rusia mbi anulimin e takimit Obama-Putin


Rusia shprehu zhgënjim lidhur me vendimin e Shteteve të Bashkuara për të anuluar takimin mes udhëheqësve të dy vendeve, por shtoi se shpreson që marrëdhëniet pozitive dypalëshe do të vazhdojnë.

Njoftimi ka bërë bujë në të gjithë Rusinë. Presidenti Barak Obama ka anuluar takimin me Presidentin rus Vladimir Putin që do të zhvillohej në Moskë në shtator, para takimit të Grupit të 20-shes në Shën Peterburg.

Shtëpia e Bardhë tha dje se kishte anuluar takimin pasi nuk ishte shënuar përparim i mjaftueshëm për çështje të rëndësishme për dy vendet. Në një intervistë të martën, zoti Obama përmendi në veçanti çështjen e Edward Snowdenit, duke thënë se kishte mbetur i zhgënjyer që Rusia i ofroi strehim ish-kontraktorit të Agjencisë për Siguri Kombëtare që kërkohet nën akuzat për nxjerrjen e sekreteve shtetërore.

Rusia i dha azil Snowdenit për një vit, me mundësinë për zgjatjen e statusit në fund të vitit. Zoti Putin nuk ka pranuar ta ekstradojë Snowdenin në Shtetet e Bashkuara ku ai do të nxirret para drejtësisë për publikimin e të dhënave të një programi sekret qeveritar.

Zoti Putin këmbëngul se statusi i azilantit për Snowdenin nuk do të ndikojë në marrëdhëniet e dy fuqive botërore.

Këshilltari i Presidentit rus, Yuri Ushakov, tha dje se kundërshtimi i zotit Obama për t’u takuar me zotin Putin tregon se Amerika nuk është gati për marrëdhënie të barabarta me Rusinë.

Zoti Ushakov tha se nëse zoti Obama ndryshon mendje, oferta për takimin në Rusi është ende e hapur. Ai shtoi se Moska mirëpret bashkëpunimin me partnerët amerikanë në çështje të interesit të përbashkët.

Moska dhe Uashingtoni vazhdojnë të kenë mosmarrëveshje lidhur me një numër çështjesh, përfshirë mbrojtjen nga raketat, Sirinë, birësimet dhe statusin e azilantit për Snowdenin.

Zoti Obama thotë se do të marrë pjesë në takimin e G20 në Shën Peterburg në shtator, por dy udhëheqësit nuk planifikohet të zhvillojnë një takim kokë-më-kokë gjatë këtij aktiviteti.
XS
SM
MD
LG