Lidhje

A është Edward Snowden tradhëtar?


Shtëpia e Bardhë anuloi një takim të nivelit të lartë mes presidentit Barak Obama dhe presidentit rus Vladimir Putin të planifikuar për në Moskë muajin e ardhshëm. Një nga arsyet ishte dhënia e azilit të përkohshëm, një vjeçar, nga Rusia, për ish-punonjësin e shërbimeve amerikane të zbulimit Edward Snowden, i kërkuar nga SHBA nën akuzat për spiunazh. Snowden tani jeton në Rusi pasi kaloi më shumë se një muaj në zonën e tranzitit të aeroportit të Moskës. Rasti i Edward Snowden-it ka ngjallur një debat mbi çështjen e tradhtisë ndaj atdheut.

Veprimi i Edward Snowden-it, nxjerrja e hollësive mbi disa programe sekrete të Agjencisë për Sigurinë Kombëtare, ka ngjallur një debat nëse Snowden është tradhëtar.

Për John Bolton, ish ambasador amerikan në Kombet e Bashkuara, çështja është e qartë.

“Unë e konsideroj tradhëtar. Ai ka marrë sekrete të rëndësishme për Shtetet e Bashkuara dhe padyshim ia ka dhënë disa Kinës, disa Rusisë - Rusia dhe Kina mund t’i kenë të gjitha informacionet për aq sa dimë ne. Disa thonë se ky nuk është spiunazh i vërtetë, pasi spiunazhi ndodh kur i jep sekrete një qeverie. Unë do të thosha se kur i bën sekretet publike është më keq sesa spiunazh, pasi në këtë rast ka 190 qeveri që do të mësojnë sekretet e Amerikës.”

David Barrett, ekspert i sigurisë kombëtare dhe profesor në Universitetin Villanova e sheh Snowden-in me një këndvështrim tjetër.

“Unë do ta konsideroja dezertor. Ka shumë emërtime që mund të përdorësh për ta cilësuar: sinjalizues, nxjerrës informacionesh. Patjetër që kualifikohet si dezertor. Kjo është një çështje serioze për një person që punon për një agjenci zbulimi, që nënshkruan një kontratë ku bie dakort për të ruajtur sekretet. Mendoj se është shumë serioze t’i nxjerrësh këto sekrete – të largohesh nga vendi dhe të nxjerrësh sekretet.”


Departameti amerikan i Drejtësisë ka ngritur akuza kriminale kundër Snowden-it: vjedhje të pasurisë shtetërore, dhënie të paautorizuar të informacioneve të mbrojtjes kombëtare dhe dhënie me vetëdije të materialeve sekrete personave të paautorizuar.

Vetë Snowden thotë se një nga arsyet që ai i bëri publike dokumentat ishte të hapte një diskutim rreth programeve sekrete të përgjimit, të qeverisë amerikane.

Stephen Vladeck është ekspert për ligjet e sigurisë kombëtare në Fakultetin e Drejtësisë të Universitetit Amerikan këtu në Uashington.

“Diskutimet që po ndodhin tani në Uashington nuk do të kishin ndodhur në se nuk do të ishte Snowden-i. Mendoj se është diçka e mirë që ato po ndodhin. Në fund të fundit, në se dikush më pyet mua “A është Edward Snowden një kriminel apo një sinjalizues”, do të thosha po – për të dyja. Dhe kjo është e drejta. Duhet të kemi parasysh se ndonjëherë të bësh atë që është e ligjshme dhe atë që është e drejtë, nuk është e njëjta gjë.”

Aziz Huq, ekspert për çështje të sigurisë kombëtare dhe drejtësisë kushtetuese në Universitetin e Çikagos thotë se një gjë është e sigurtë: Edward Snowden nuk është tradhëtar.

“Në drejtësinë amerikane ne kemi një përkufizim shumë të saktë të tradhëtisë. Ky është një përcaktim që mishërohet jo vetëm në ligjin federal por edhe në Kushtetutë. Ai i referohet një klasifikimi shumë të ngushtë të “formave të qëllimshme të ndihmesës për armikun në kohë lufte.”

Zoti Huq thotë se, për shembull, ata amerikanë që luftuan me ushtrinë naziste ishin tradhëtarë dhe u ndëshkuan si të tillë në Luftën e Dytë Botërore.

“Personi i fundit që u shpall fajtor për tradhëti ishte Adam Gadahn, një amerikan që shkoi dhe u bashkua me al-Kaidan dhe shërbeu si zëdhënës i tyre në gjuhën angleze – pati argumente të forta për ta shpallur atë fajtor për tradhëti, pasi ai kishte shkuar dhe kishte ndihmuar armikun, dhe kjo e bënte një armik të Shteteve të Bashkuara. Por kjo nuk është njësoj si çështja Snowden.”

Zoti Huq thotë se është thellësisht e papërshtatshme të përdorësh fjalën tradhëtar për dikë që ka nxjerrë informacione që janë padyshim të lidhura me debatin publik.

Shumica e amerikanëve duket se bien dakort me zoti Huq. Një anketë e Universiteti Quinnipiac thotë se 55 përqind e të anketuarve besojnë se Snowden-i u ra këmbanave të alarmit, nuk kreu tradhëti.
XS
SM
MD
LG