Lidhje

Snowden dëshiron të kthehet në SHBA


Edward Snowden, ish kotraktori i shërbimeve amerikane të zbulimit, i cili bëri publike programet e fshehta të qeverisë për grumbullim të dhënash brenda vendit, thotë se ai dëshiron të kthehet në Shtetet e Bashkuara.

Në intervistën e parë për televizionet amerikane, Snowden i tha të mërkurën gazetarit të rrjetit televiziv NBC, Brian Williams se ai e shikon veten si patriot, por deri sa të kthehet në Shtetet e Bashkuara, ai ka në plan t’i kërkojë Rusisë që t’i zgjasë azilin.

Ai akuzohet se për tradhëti dhe për rrezikim të jetës së shtetasve amerikanë duke bërë publik programin e grumbullimit masiv nga Agjencia Kombëtare e Sigurisë të komunikimeve të amerikanëve në telefon dhe internet. Snowden i mohon akuzat.

“Duhet të provohet kjo akuzë. Ka një vit që unë dhe shtypi e kemi pyetur Amerikën për këtë. Ka kaluar një vit edhe ata nuk mund të tregojnë asnjë individ që është dëmtuar si rezultat i informacioneve që nxora unë. A është vërtet kaq e rëndë dhe serioze? A mund t’u besojmë këtyre akuzave pa i shqyrtuar ato?”

I pyetur nëse ai do të bënte ndonjë marrëveshje për t’u kthyer, Snowden tha se së pari donte të sigurohej se këto programe janë reformuar dhe se familja dhe vendi që la pas mund të ndihmoheshin nga veprimet e tij.

Edward Snowden u strehua në Rusi pasi u dha gazetarëve dokumente nga NSA që zbulonin operacionet e fshehta amerikane të spiunazhit në mbarë botën. Ai përballet me akuza kriminale në Shtetet e Bashkuara për publikimin e materialeve sekrete. Më herët të mërkurën, Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry tha se Snowden duhet të “burrërohet” dhe të përballet me drejtësinë në Shtetet e Bashkuara.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG