Lidhje

Banorët e Soçit, krenarë për organizimin e Olimpikeve


Banorët e Soçit përjetuan sfida, ndërprerje e peripeci të shumta në vitet përgatitore për Lojërat Olimpike. Një numër objektesh të reja sportive u ndërtuan brenda shtatë vjetësh, përveç ndryshimeve në infrastrukturë për këtë aktivitet ndërkombëtar. Korrespondenti Henry Ridgewell bisedoi me disa prej tyre për të marrë përshtypjet e banorëve mbi organizimin e lojërave në qytetin e tyre.

Studiumi futurist dhe pallatet e sportit ku zhvillohen konkurrimet në akull i japin një pamje impresionuese zonës bregdetare të Soçit. Cmimi prej 51 miliardë dollarë që u shoqërua me ndërtimin e tyre ka rezultuar në objekte që janë pritur mirë nga konkurrentët dhe spektatorët. Por si ndjehen banorët? Skepticizmi fillestar duket se i ka lënë vendin krenarisë.

Anastasia Vodoloyev është një nënë e re që banon në Soçi:

"U mërzita shumë kur mësova se Lojërat Olimpike do të zhvilloheshin në Soçi, pasi sjellin probleme të mëdha për banorët lokalë. Por tani që përfunduan të gjitha përgatitjet, ndjehem e lumtur dhe krenare”.

Vladimir Malegin, i cili ka dalë shëtitje në një park në qendër të qytetit, ka të njëjtën përshtypje:

“Soçi është përmirësuar shumë. Dikur këtu kalonte një rrugë që tani është shndërruar në park dhe unë dal të shëtis me qenin. Më pëlqen”.

Banorët e Soçit flasin për rrugët e reja dhe projektin e transportit hekurudhor lokal që ka lehtësuar trafikun në qytet.

Por përmirësimet dhe projektet e infrastrukturës kanë pasur edhe pasoja negative mbi mjedisin. Që nga 2007, banorët lokalë kanë duruar shndërrimin e qytetit të tyre në kantierin më të madh ndërtimor në Evropë. Shumë prej tyre ankohen se zonat rurale përreth janë shndërruar në depozita plehrash.

Vladimir Kimaev punon për Shoqatën për Mbrojtjen e Mjedisit në Kaukazin Verior:

"Eshtë situateë shumë shqetësuese për banorët e fshatrave përreth, pasi tani jetojnë pranë grumbullimeve të mëdha me mbeturina. Si mbetje nga kantieret e ndërtimit, ashtu edhe mbetje urbane që dalin nga aktiviteti në Soçi”.

Fshatrat në malet përtej Soçit janë transformuar për të krijuar pista për disa konkurrime. Tani treni i ri e ka shkurtuar distancën nga këto fshatra deri në brigjet e detit.

Edouard Baturin jeton në një shtëpi të vogël në Krasna Polyana.

"Më parë, të gjithë mbanin pula e derra. Disa banorë kishin lopë, pra bënim jetë fshati. Tani, si rezultat i Olimpikeve, kjo jetë ka marrë fund dhe e kemi të vështirë të adaptohemi”.

Megjithatë, shpirti olimpik duket se po e zbut ngadalë Edouard Baturinin.

“Fakti që po organizojmë Olimpiket më ka mbushur me krenari. Organizatorët rusë thonë se kostoja kolosale do të shlyhet nga miliona turistë që do të vijnë në Soçi pas Lojërave”.

Megjithatë nuk ka garanci që do të ketë një dyndje aq të madhe turistike. Një raport nga agjencia Moody’s paralajmëron se kostoja e lartë e këtij aktiviteti dhe njoftime të tjera negative mbi problemet në Soçi e kufizojnë potencialin pozitiv të këtyre lojërave.

Për mometin banorët tingëllojnë krenarë që sytë e botës janë ngulur mbi qytetin e tyre bregdetar. Vitet që vijnë do të tregojnë nëse ky aktivitet kolosal ishte një investim i leverdisshëm.
XS
SM
MD
LG