Lidhje

Konkurrime intensive sot në Soçi

  • Parke Brewer

Pesë medalje të arta do të ndahen në Soçi sot, ndërkohë që konkurrimet e Lojërave 16 ditëshe intensifikohen. 98 aktivitete sportive do të zhvillohen në Lojërat XXII Olimpike sivjet në Soçi. Kjo shifër përfaqëson 12 aktivitete më shumë se katër vjet më parë në Vankuver. Ndër konkurrimet e reja sportive është kërcimi me ski për femra, konkurrimi i ekipeve të patinazhit artistik, gara të përzira dhe dygarëshi; si dhe skijimi i lirë.

Konkurrimet do të zhvillohen në Parkun Olimpik në brigjet e Detit të Zi, ku ka shtatë pallate sporti të mbuluara, si dhe në malet ku janë ngritur pistat për garat nën qiell të hapur. Pistat janë relativisht pranë njëra tjetrës dhe mund të shkohet me autobus nga Soçi për afro një orë. Aktivitetet sportive janë organizuar në pista të ndërtuara në mënyrën më kompakte në historikun e Olimpikeve.

Gjithësej, rreth 5,500 sportistë dhe drejtues ekipesh kanë ardhur në Soçi nga 82 Komitete Olimpike Kombëtare, e njëjta shifër si në Vankuver katër vjet më parë.

Shtetet e Bashkuara kanë delegacionin më të madh me 230 sportistë; vendi organizator, Rusia, renditet e dyta me 225 sportistë, pasuar nga Kanadaja me 220 sportistë.

Alan Ashley i Komitetit Olimpik Amerikan thotë se sportistët amerikanë kanë arritur suksese të mëdha në konkurrimet ndërkombëtare të sezonit dhe pritet që të dalin shumë mirë në Soçi:

"Nëse dalim të parët për nga numri i medaljeve, nuk i dihet, por do të them se të gjithë vijnë këto për të konkurruar në nivelet më të larta. Do të shohim si do të dalim”.

Shefi Ekzekutiv i Komitetit Olimpik Amerikan Scott Blackmun thotë se siguria e atletëve dhe e gjithë delegacionit amerikan është një shqetësim i natyrshëm dhe parësor:

"Si gjithmonë, ne kemi bashkëpunuar ngushtë me Departamentin e Shtetit, i cili është në kontakte të vazhdueshme me autoritetet lokale. Ne u përgjigjemi situatave që dalin siç është e nevojshme, por kemi bërë edhe shumë përgatitje që më parë. Në këtë aspekt këto Lojëra nuk ndryshojnë nga Olimpiket e mëparshme”.

Zoti Blackmun shtoi se Olimpiket e Soçit sjellin një shqetësim të ri, si rezultat i kërcënimeve terroriste që janë shfaqur, por ai shprehu bindjen se autoritetet ruse kanë bërë ç’është e mundur për të garantuar sigurinë.

Sergey Demidov, i agjencisë së lajmeve Itar Tass tha për Zërin e Amerikës se rusët shpresojnë se vizitorët do të kenë besim në masat për organizimin e këtyre Lojërave.

"Duam që të gjithë vizitorët në Lojërat Olimpike, të gjithë sportistët nga e gjithë bota do të jenë shumë të kënaqur këtu. Duam që të gjithë të arrijnë të shohin anët më pozitive; ata që kanë pasur ankesa dhe që janë shprehur përmes llogarive në Twitter për problemet në hotele dhe strehim, shpresojmë të mos fiksohen tek problemet, por të shohin gjerat e shumta interesante që ka këtu”.

Sot do të zhvillohen konkurrime në pesë sporte, ndër të cilat skijim i lirë, si dhe skijim në distanca të gjata për femra, si dhe dygarëshi për meshkuj dhe gara 5000 metërshe e patinazhit.
XS
SM
MD
LG