Lidhje

Soçi, objektiv sulmesh terroriste


Presidenti rus, Vladimir Putin është zotuar se lojërat dimërore olimpike në Soçi do të jenë të sigurta nga çdo kërcënim terrorist. Materiali në vazhdim bën fjalë rreth disa prej këtyre grupeve, që kanë kërcënuar të ndërpresin Olimpiadën e Soçit.

Autoritetet ruse kanë shpenzuar rreth 2 miliardë dollarë për të shtuar masat e sigurisë, para fillimit të lojrave dimërore olimpike të Soçit më 7 shkurt. Mijëra forca të personelit të sigurisë patrullojnë atë që është përshkruar si “unazë çeliku” përreth këtij vendpushimi në brigjet e Detit të Zi, në përpjekje për të parandaluar çdo sulm terrorist.

Kërcënimi kryesor ka ardhur nga grupe separatiste dhe xhihadiste në Kaukazin Verior, veçanërisht nga Çeçenia dhe Dagestani, që ndodhen rreth 500 kilometra larg Soçit.

Bruce Hoffman, ekspert mbi terrorizmin në Universitetin Georgetown, thotë se shumë grupe janë nën ombrellën e organizatës së njohur si “Perandoria Kaukaze”.

“Ky është një grup militant me në krye Doku Umarov-in, për të cilin u njoftua se vdiq para disa javësh, por me sa duket ai është ende gjallë. Ai vetë është zotuar fare qartë se do t’i prishë lojrat”.

Nga fundi i dhjetorit, një grup i lidhur me Umarovin mori përgjegjësinë për dy shpërthime vetëvrasëse, që shkaktuan vdekjen e më shumë se 30 personave në Volgograd, qyteti më i madh afër Soçit, rreth 600 kilometra larg tij.
Thomas de Waal, i cili ka shkruar shumë mbi Kaukazin Verior, thotë se kërcënimi i sigurisë vjen nga një “kryengritje islamike serioze, megjithëse jo shumë intensive, që daton nga lufta e dytë në Çeçeni, e cila përfundoi para rreth 10 vjetësh dhe që nuk u shpërbë kurrë plotësisht”.

“Nuk bëhet fjalë për një organizatë të bashkuar, që lufton shtetin rus, si për shembull organizata e njohur si “Perandoria Kaukaze”, por për një numër individësh të dëshpëruar, me ideologji islamike, që kanë një urrejtje personale për shtetin rus dhe për Presidentin Putin dhe që me siguri duan të ndërpresin lojërat e Soçit, nëse munden”.

De Waal thotë se Moska përballet me një problem.

“Për shtetin rus do të ishte më e lehtë, nëse do të ekzistonte një grup që autoritetet ruse të mund ta identifikonin dhe ta luftonin. Përkundrazi, bëhet fjalë për shumë individë dhe në disa raste ata kanë motiv personal për t’u hakmarrë. Disa prej tyre janë paksa të organizuar, por shumë të vështirë për t’u mbikqyrur”.

Bruce Hoffman thotë se është shumë e vështirë të ndiqen autoret femra të sulmeve vetëvrasëse, të njohura si “vejushat e zeza”.

“Vejushat e zeza janë vërtet të veja, ose bashkëshorte të xhihadistëve, që janë zhdukur në luftën kundër forcave ruse, qoftë në Çeçeni, Dagestan apo pjesë të tjera të Kaukazeve. Ato e marrin këtë emër nga ndjenja se situata dhe dhimbja e tyre është e pangushëllueshme. Ato janë zotuar të hakmerren jo vetëm për bashkëshortët e tyre, por edhe për vëllezërit, baballarët, dajat e xhaxhallarët, kushërinjtë… Natyrisht, që hakmarrja është një prej emocioneve më të thella njerëzore”.

Zoti Hoffman thotë se “vejushat e zeza” janë përgjegjëse për disa prej shpërthimeve dhe sulmeve terroriste më të bujshme.

“Për më shumë se një dekadë, gratë kanë luajtur një rol shumë të rëndësishëm në aktet terroriste nga Kaukazi. Si marrja nën kontroll e teatrit të Moskës në vitin 2002 dhe e shkollës në Beslan më 2004, gratë ishin të angazhuara në këto operacione, si dhe në shpërthimet e 2004-s dhe 2010-s në metronë e Moskës. Gjithashtu është njoftuar se një grua, me një bombë të fshehur në trup, hodhi në erë një aeroplan rus të fluturimeve të brendshme”.

Shumë analistë thonë se në lojërat olimpike dimërore të Soçit do të merren masa të forta sigurie, duke e bërë të vështirë për terroristët që të veprojnë, por ekspertët thonë gjithashtu se ekziston mundësia e sulmeve terroriste jashtë vendpushimit të Soçit, kudo në Rusi.
XS
SM
MD
LG