Lidhje

Socialdemokratët fitimtarë në Portugali

  • Zëri Amerikës

Socialdemokratët fitimtarë në Portugali

Socialdemokratët fitimtarë në Portugali

Në Portugali, opozita fitoi ndaj socialistëve në zgjedhjet parlamentare të së djelës. Rezultati zyrtar u jep socialdemokratëve 105 vende nparlament ndërsa socialistëve 73. Kryeministri në largim Zhoze Sokrates pranoi humbjen dje pasi anketat pas votimit i dhanë socialdemokratëve fitore të padiskutueshme. Ai tha se do të largohet nga posti i kryetarit të partisë. Por ç’do të thotë fitorja e opozitës për ekonominë e brishtë të Portugalisë?

Banorët në Lisbonë u zgjuan sot me një qeveri të re, të qendrës së djathtë dhe patën reagime të ndryshme ndaj Partisë Social-Demokrate që erdhi në pushtet.

Fitorja bindëse e PSD-së në zgjedhjet e së djelës – me 39 përqind të votave – i dha fund pasigurisë politike që pasoi rrëzimin e qeverisë socialiste në mars kur ajo nuk mundi të miratojë paketën e fundit të masave shtrënguese financiare në parlament.

E zhytur në borxhe dhe krizë politike, Portugalia mori një paketë ndihmash prej 78 miliardë eurosh muajin e kaluar nga Bashkimi Evropian dhe FMN-ja, termat e së cilës përfshijnë taksa më të larta, shkurtime shpenzimesh dhe privatizime që do të kenë peshë në ekonomi.

Disa banorë thanë sot se portugezët zgjodhën partinë e duhur pavarësisht sfidave me të cilat përballet vendi.

“Mendoj se socialdemokratët ishin zgjedhja e duhur nga populli portugez dhe tani marrëveshja duhet të zbatohet me gjithë masat vërtetë të vështira”, thotë Albano Silva.

Isabel Roma thotë se megjithëse socialdemokratët mund të mos kenë qënë zgjedhja më e mirë, ata ishin alternativa e vetma.

Tregjet e aksioneve portugeze u ngritën sot. Eksperti Zhoao Kueiroz thotë se efektet afatgjata në treg do të jenë pozitive.

“Nëse qeveria e re me koalicionin e fuqishëm në parlament fillon zbatimin e masave që u ra dakort gjatë marrëveshjes, në një periudhë afatgjatë do të ketë rezultate pozitive në ekonomi”.

Portugalia përballet me nivelin më të lartë të papunësisë në tre dekada dhe ekonomia pritet të tkurret me dy përqind këtë vit dhe vitin e ardhshëm, duke paraqitur sfida të vështira për qeverinë e re.

Socialdemokratët kanë kërkuar gjithmonë shpenzime më të pakta qeveritare që socialistët kanë mundur të ulin vetëm pak, duke u përqëndruar më shumë në të ardhura më të larta. Socialdemokratët janë gjithashtu për një rol më të vogël të shtetit tek ekonomia dhe privatizimet e kompanive shtetërore. Shitja e tyre është pjesë e programit të paketës së ndihmave.

Portugalia është një nga 17 vendet që përdorin euron. Ekonomia e saj përbën më pak se 2 përqind të prodhimit të brendshëm bruto të bllokut por problemet fiskale kanë acaruar shqetësimet e investitorëve rreth qëndrueshmërisë së eurozonës në përgjithësi.

XS
SM
MD
LG